Raiffeisen Bank reagon për rastin e Përparim Ramës: Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, janë njoftuar autoritetet

Raiffeisen Bank ka reaguar zyrtarisht lidhur me rastin e pretenduar të qasjes së paautorizuar në llogarinë bankare të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, nga një punonjës i bankës, i cili dyshohet se kishte shpërndarë të dhënat personale dhe transaksionet e tij bankare. Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, banka ka konfirmuar se ka pranuar…

Lajme

05/11/2026 16:37

Raiffeisen Bank ka reaguar zyrtarisht lidhur me rastin e pretenduar të qasjes së paautorizuar në llogarinë bankare të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, nga një punonjës i bankës, i cili dyshohet se kishte shpërndarë të dhënat personale dhe transaksionet e tij bankare.

Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, banka ka konfirmuar se ka pranuar dhe trajtuar ankesën e kryetarit Rama, duke bërë të ditur se pas hetimit të brendshëm ka ndërmarrë veprimet që i ka konsideruar të nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi.

Po ashtu, Raiffeisen Bank ka konfirmuar se lidhur me këtë rast janë njoftuar edhe autoritetet kompetente, por nuk ka dhënë detaje se për cilat institucione bëhet fjalë dhe çfarë veprimesh konkrete janë ndërmarrë.

“Ju konfirmojmë se ankesa nga Kryetari i Prishtinës, z. Përparim Rama, është trajtuar në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullatore. Pas hetimit dhe shqyrtimit të rastit, kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi, përfshirë edhe njoftimin e autoriteteve kompetente”, thuhet në përgjigjen e bankës.

Megjithatë, institucioni bankar nuk ka dhënë hollësi të tjera rreth hetimit dhe as nuk ka sqaruar nëse është konstatuar përfundimisht se një punonjës i saj ka pasur qasje të paautorizuar në llogarinë e kryetarit të Prishtinës.

Në përgjigjen e saj, Raiffeisen Bank ka theksuar se mbrojtja e të dhënave personale të klientëve dhe ruajtja e konfidencialitetit bankar mbeten ndër prioritetet e institucionit.

“Sigurojmë klientët se Banka Raiffeisen i kushton rëndësi të posaçme mbrojtjes së të dhënave të tyre personale dhe ruajtjes së konfidencialitetit bankar”, thuhet më tej në reagim.

Banka ka bërë të ditur se për momentin nuk mund të ndajë informacione shtesë lidhur me rastin, duke lënë pa përgjigje disa nga çështjet që lidhen me rrethanat e pretenduara të shkeljes.

“Në këtë fazë, nuk mund të ofrojmë hollësi të tjera lidhur me rastin”, përfundon përgjigjja e Raiffeisen Bank.

Çfarë dihet deri më tani për rastin?

Rasti u bë publik pas raportimeve se një punonjës i Raiffeisen Bank ishte qasur pa autorizim në llogarinë bankare të Përparim Ramës dhe më pas kishte shpërndarë informacione personale, përfshirë gjendjen dhe transaksionet bankare të tij.

Nga Komuna e Prishtinës ishte konfirmuar se kryetari Rama kishte paraqitur ankesë zyrtare në bankë dhe kishte kërkuar sqarime lidhur me atë që ishte cilësuar si shkelje e rëndë e privatësisë dhe konfidencialitetit bankar.

Sipas versionit të dhënë nga Zyra për Media e Komunës së Prishtinës, banka e kishte informuar kryetarin se punonjësi përgjegjës për këtë veprim ishte identifikuar dhe ishte larguar nga puna.

Komuna kishte bërë të ditur gjithashtu se Rama synon të ndjekë rrugë ligjore ndaj bankës dhe punonjësit përgjegjës, duke kërkuar përgjegjësi për cenimin e privatësisë dhe dëmin e pretenduar ndaj reputacionit të tij publik.

Në reagimin e saj të fundit, Raiffeisen Bank nuk e ka konfirmuar shprehimisht largimin e punonjësit nga puna, por ka bërë të ditur se ankesa është trajtuar, është zhvilluar hetim dhe janë njoftuar autoritetet kompetente.

Ndërkaq, mbetet të shihet nëse institucionet kompetente do të ndërmarrin veprime të mëtejshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive eventuale./lajmi.net/