Monako premton mbështetje

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, është takuar me homologun tij nga Monako, Jose Badia. Ministri i Jashtëm i Monakos, ka premtuar bashkëpunim bilateral me Kosovën dhe mbështetje në inkuadrimin e institucioneve ndërkombëtare.

Lajme

18/01/2014 14:33

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, që po vazhdon turneun diplomatik në Europë, pas Andorrës ka qëndruar në Monako. Në vizitën e parë zyrtare, ministri Hoxhaj ka takuar homologun e tij, José Badia, me të cilin kanë folur për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Shefi i diplomacisë kosovare e ka falënderuar ministrin Badia për njohjen dhe rolin konstruktiv të Monakos karshi Kosovës, duke i kërkuar njëherësh votën dhe mbështetjen politike në disa prej aplikimeve të Kosovës në organizata evropiane e botërore, thuhet në një komunikatë të MPJ’së.

Turneu diplomatik për t’i takuar homologët evropianë një nga një, sipas ministrit Hoxhaj është për të siguruar mbështetje në një vit të rëndësishëm të Kosovës në aspektin e agjendës multilaterale.

“Në takimin që kisha me ministrin e Punëve të Jashtme të Monakos u dakorduam që Monako dhe Kosova ta thellojnë dhe zgjerojnë bashkëpunimin përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje kornizë e cila marrëveshje do të duhej ta inicionte dhe rregullonte këtë bashkëpunim në disa fusha të jetës, prej ekonomisë, tregtisë, shkencës, arsimit, kulturës e sportit”.

“Po ashtu, unë kërkova nga ai që Monako ta mbështet Kosovën në rrugën e saj të anëtarësimit në disa organizma evropianë dhe globalë”.

“Mora mbështetje konkrete në këtë drejtim dhe meqë viti 2014 do të jetë vit i Kosovës multilaterale dhe aplikimi i jonë në organizata do të jetë prioritet mbi prioritetet, unë besoj që Monako sikurse shtetet e tjera që kam vizituar do të jenë mbështetëse të fuqishme të Republikës së Kosovës”.

Gatishmëri për ta përkrahur Kosovën në të gjitha nismat dhe fushat shprehu ministri i Jashtëm i Monakos, Jose Badia, i cili tha se do të bëj çmos për të bashkërenduar aktivitetet me Qeverinë në Prishtinë.

“Jam veçanërisht i kënaqur që e kam takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës. Besoj që kemi gjetur pika të përbashkëta dhe të cilat i kemi identifikuar nga ana e jonë. Besoj se bashkëpunimi ndërmjet Monakos dhe Kosovës jo vetëm që është i mundshëm por është edhe i dëshirueshëm”.

“Monako mbështet zhvillimin, pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare dhe jemi shumë të interesuar për ta përcjellë zhvillimin e vendit tuaj në këtë kontekst”, ka thënë Ministri i jashtëm i Monakos, Jose Badia.