Molliqaj: Në këtë mandat nuk do të kemi president as kryeparlamentar, ka vetëm Albin

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj beson se Vjosa Osmani do të zgjedhet presidente.

Lajme

23/02/2021 23:06

Ai në “Debat Plus” ka thënë se kjo do të ndodh për shkak të shantazhit që po iu bën Kurti partive opozitare me dërgimin e vendit në zgjedhje nëse nuk ia bëjnë kuorumin Osmanit.

Molliqaj thotë se Vjosa Osmani ka ndihmuar Vetëvendosjen në rezultatin zgjedhor, por sipas tij mbështetja e Albinit për Vjosën varet nga qëndrimet e kësaj të fundit.

“Vjosa Osmani do të ketë mbështetje dhe votë derisa e ka qasjen e Albinit. Nëse Vjosa se ka qasjen e njëjtë si të Albinit edhe nëse është në subjektin e Albinit nuk do të ketë votë e as mbështetje”, tha ai në Debat Plus.

Molliqaj thotë se Kosova ka pasur lloje të ndryshme të presidentëve por sipas tij në këtë mandat Kosova nuk do të ketë president e as krye parlamentar.

“Në këtë mandat nuk do të kemi fare as president e as krye parlamentar. Ka veç Albin. Këta janë aty, kanë marrë edhe vota por nuk do të kenë as fuqinë e Ahtifete Jahjagës”, deklaroi ndër të tjera Molliqaj.