Mjekët e “stentave” mbesin në paraburgim

Kolegji penal i Departamentit të Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit, ka refuzuar ankesën e avokatëve të mjekëve të arrestuar më 7 nëntor, për ndërprerjen e masës së paraburgimit.

Lajme

21/11/2014 10:13

Kolegji penal i Departamentit të Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit, refuzoi si të pa bazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve L. Brovina, B. Petrovski, A. Hocaoglu, A. Bakiqi, N. Zeqiri, D. Gorani, E. Muhaxheri, M. Abazi dhe R. Emra, kundër vazhdimit të masës së paraburgimit prej 1 muaji nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me 07.11.2014, thuhet në njoftimin për media.

Të arrestuarit dyshohen për në serë veprash penale si: pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit si dhe ushtrim u kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike.

Gjykata e Apelit vlerëson se pretendimet ankimore të mbrojtjes janë të pabazuara, ngase aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë PPRKR.nr.286/2014, e ka arsyetuar drejt dyshimin e bazuar, se të pandehurit janë përfshirë në kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohen.

Nisur nga kjo, Gjykata e Apelit konstaton se ka bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit ndaj tyre, ngase masat e tjera të parapara me ligj, janë të pamjaftueshme për sigurinë e prezencës së të pandehurve në këtë fazë të procedurës.