Misioni i pamundur i Ramiz Kelmendit
Biznesmeni Ramiz Kelmendi pretendon të marrë postin e Zëvendëskryeministrit të Kosovës. Por ai nuk mund ta marrë një detyrë të tillë, kur ka vetëm dy vjet në PDK dhe ku i duhen kapacitete të tjera nga ai i biznesmenit, për të koordinuar partinë me qeverinë. Që nga viti 2007 kur PDK-ja vazhdon t’i fitojë zgjedhjet, gjatë koalicioneve qeveritare, këtë post gjithmonë e mban nënkryetari i PDK-së. Së fundi, e mbante vetë kryetari i PDK-së, tash president i vendit.
Lajme
Ramiz Kelmendi, biznesmeni i shndërruar në politikan, pretendon të marrë një post të rëndësishëm në qeveri.
Ky post deri para pak javësh, i takonte presidentit aktual, Hashim Thaçit.
Ramiz Kelmendi, aktualisht deputet i PDK-së, ka shfaqur ambicie për të marrë detyrën e Zëvendëskryeministrit të Kosovës.
Një kërkesë të tillë, merret vesh se Kelmendi e ka bërë duke kërcënuar se nëse nuk e merr postin që dëshiron, ai do të largohet nga partia.
Kërcënimin e tij, ai më shumë se asnjëherë e shfaqi para votimit të Thaçit për president muajin e kaluar edhe pse më vonë tha se nuk do të largohet nga PDK-ja.
Megjithëkëtë, një post i tillë nuk është sikur drejtimi i një biznesi. Me koalicionin aktual qeverisës, posti i Zëvendëskryeministrit është shumë i rëndësishëm për funksionimin partnerëve politik në pushtet.
Me situatën kur ekzekutivin e drejton kryetari i një partie tjetër, në këtë rast LDK-së dhe qeveriset bashkë me një parti minoritare si Lista Serbe, Kelmendi i PDK-së vështirë se do të mund ta ushtronte si duhet këtë detyrë.
Për më tepër, e kaluara e Kelmendit në PDK është e gjatë vetëm dy vjet, kur deri në zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2014, ai ishte në AAK, parti kjo tash në opozitë.
Në anën tjetër, PDK-ja nuk do ta kishte luksin që këtë pozitë kaq të rëndësishme. t’ia jap dikujt i cili vështirë se do të mund t’i koordinonte partnerët e koalicionit.
Kjo për faktin se në disa raste, nuk mjafton vetëm pozita që mban, por edhe autoriteti moral që dikush mund të ketë mbi ministrat e një partie, në këtë rast të PDK-së.
Duke marrë parasysh të gjitha këto rrethana, pozicioni i Kelmendit në parti nuk ia jep një mundësi dhe shpresë të tillë, aq më pak kur PDK–ja edhe në të kaluarën, e ka praktikuar që në postin e Zëvendëskryeministrit, të përfaqësohet të paktën me nënkryetarin e partisë./lajmi.net