Mirëpret propozimin e Krasniqit

Hydajet Hyseni mirëpret propozimin e Jakup Krasniqi për krijimin e një Fondi nga Shoqata e të Burgosurve Politik për të ndihmuar shkollimin e fëmjëve të talentuar që jetojnë në familje të varfëra. Thotë se edhe në shoqatë ka pasur një propozim të ngjashëm.

Lajme

29/12/2013 13:57

Kryetari i Shoqatës së Burgosurve Politik, Hydajet Hyseni, e ka quajtur shembull të mirë, gatishmërinë e shprehur nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, për t’i dhuruar mjetet që i takojnë atij si ish i burgosur politik, për financimin e studimeve të fëmijëve talentë të familjeve të varfra.

Krasniqi ka propozuar që të krijohet një Fond nga Shoqata e të Burgosurve Politik për këtë qëllim.

Kryetari i kësaj shoqate, deputeti Hydajet Hyseni, thotë për lajmi.net se ideja për krijimin e një fondi të solidaritetit ka kohë që është përmendur në këtë shoqatë.

“Angazhime si kjo e kryeparlamentarit, janë të mirëseardhura, janë shembull i mirë”.

“Mua personalisht nuk më befason sepse Jakup Krasniqi ka dëshmuar edhe përpara mbështetjen e tij”.

“Ne do ta shqyrtojmë, dhe do ta dizajnojmë siç është më së miri, duke pasur parasysh edhe mundësitë e kufizuara të njerëzve që janë të përfshirë në internimin e burgut politik”.

“Një propozim të tillë e përshëndes. Unë nuk e kam lexuar të tërin të plotë, dhe s’jam në gjendje të hyj në detaje. Por, mund të them vetëm që në shoqatë ka kohë që ka pasur një propozim, një ide, që është përkrahur nga shoqata, që të krijohet një fondacion solidariteti, kryesisht për nevoja të kategorisë së të burgosurve politik, fëmijëve jetim të tyre. Ka pasur një pajtim për ta përkrahur një ide të tillë, por kjo nuk është finalizuar”.

A është i gatshëm edhe Hydajet Hyseni të ndajë mjete nga kompensimi i tij si ish i burgosur, për këtë fond?

“Gjithsesi po”.

“Ka qenë propozim imi në shoqatë, por në mënyrën siç e kemi menduar ne. E kemi menduar që ta vendosim si shoqatë, të caktojmë një përqindje, t’i ftojmë edhe donatorët tjerë që t’i bashkëngjiten, sipas mundësive të tyre dhe në baza vullnetare”.

Ndryshe, sipas vendimit që Qeveria e Kosovës mori për kompensimin e ish-të burgosurve politikë, do t’u kompensohen atyre me 16 euro e 70 cent për një ditë burg, ndërsa shuma totale që do të përfitojnë të gjithë të burgosurit është 55 milionë.

Hydajet Hyseni, që sot është Kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politik  ka kaluar disa vjet në burgjet serbe.