MINTI intensifikon kontrollet kundër piraterisë, inspektime në Prishtinë dhe Gjilan

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka intensifikuar kontrollet për mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta. Përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ekipet inspektuese kanë zhvilluar sot kontrolle në subjekte ekonomike në rajonet e Prishtinës dhe Gjilanit. Sipas MINTI-t, inspektimet janë fokusuar veçanërisht në bizneset që…

Lajme

22/09/2026 15:12

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka intensifikuar kontrollet për mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta.

Përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ekipet inspektuese kanë zhvilluar sot kontrolle në subjekte ekonomike në rajonet e Prishtinës dhe Gjilanit.

Sipas MINTI-t, inspektimet janë fokusuar veçanërisht në bizneset që merren me fotokopjim, riprodhim dhe shpërndarje të materialeve të mbrojtura nga e drejta e autorit.

Qëllimi i kontrolleve është verifikimi i respektimit të kërkesave ligjore gjatë përdorimit dhe riprodhimit të materialeve të mbrojtura, si dhe parandalimi i shfrytëzimit të paautorizuar të veprave të mbrojtura.

MINTI ka bërë të ditur se aktivitetet inspektuese po zhvillohen në bazë të Ligjit për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, si dhe Ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.

Ministria ka njoftuar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në rajone të tjera të Kosovës, bazuar në ankesat dhe informacionet e pranuara nga konsumatorët për raste të dyshuara të shkeljes së të drejtës së autorit dhe piraterisë. /Lajmi.net/