Alarm nga AUV, zbulohen baktere në mishin e bluar “Qobani” dhe përshutën e gjedhit

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të mishit të bluar Premium “Qobani” dhe përshutës së gjedhit, të tregtuara nga rrjeti i marketeve VIVA FRESH, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar baktere në këto produkte. Sipas njoftimit të AUV-së, gjatë një inspektimi të jashtëzakonshëm në objektin e përpunimit të mishit të kompanisë…

Lajme

28/11/2026 16:44

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të mishit të bluar Premium “Qobani” dhe përshutës së gjedhit, të tregtuara nga rrjeti i marketeve VIVA FRESH, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar baktere në këto produkte.

Sipas njoftimit të AUV-së, gjatë një inspektimi të jashtëzakonshëm në objektin e përpunimit të mishit të kompanisë VIVA FRESH SH.P.K., në Gushtericë të Poshtme të Graçanicës, janë konstatuar mospërputhje me kriteret mikrobiologjike në dy produkte.

Në mishin e bluar Premium “Qobani”, me lotin nr. 13112147, është konstatuar tejkalim i vlerave referuese për bakterin Escherichia coli. Në tri nga pesë njësitë e testuara është regjistruar prania e këtij bakteri, me vlerën më të lartë prej 153 CFU/g.

Ndërkaq, në përshutën e gjedhit, me lotin nr. 1211695, analizat kanë konfirmuar praninë e bakterit Listeria monocytogenes, i cili nuk lejohet të jetë i pranishëm në 25 gramë të produktit.

Si pasojë e këtyre gjetjeve, AUV ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme të produkteve nga tregu. Deri më tani janë tërhequr dhe izoluar 35.7 kilogramë mish i bluar dhe 37.5 kilogramë përshutë gjedhi, në total 73.2 kilogramë, të cilat do të asgjësohen nën mbikëqyrjen e inspektorëve veterinarë.

Sipas dokumentacionit të inspektimit, furnizues të lëndës së parë për mishin e bluar janë Delta M dhe Buquku nga Peja, ndërsa për përshutën e gjedhit furnizues ka qenë Delta M.

AUV u ka bërë thirrje konsumatorëve që kanë blerë produktet me numrat e loteve të përmendura që të mos i konsumojnë ato dhe t’i kthejnë në pikat përkatëse të shitjes.

Ndërkohë, kontrollet e mëtejshme do të shtrihen përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit, me qëllim identifikimin e burimit të kontaminimit.