Ministria e Shëndetësisë jep detaje për vaksinimin e nxënësve në shkolla të Prishtinës

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka nisur organizimin e ekipeve mobile për vaksinimin e nxënësve në shkollat e kryeqytetit.

Lajme

24/11/2021 16:55

Sipas njoftimit të MSH-së, me qëllim të vaksinimit të nxënësve me vaksinën kundër COVID-19, MSH-ja ka organizuar për nesër ekipin mobil për vaksinimin e nxënësve në Gjimnazin e Shkencave Shoqërore “Ahmet Gashi” në Prishtinë, transmeton lajmi.net.

Vaksnimi do të bëhet në bashkëpunim me drejtuesit e shkollës dhe do të zhvillohet në ora 12:00 në mjediset e kësaj shkolle.

MSH-ja ka bërë të ditur se prindërit ose kujdestarët ligjorë të nxënësve që do të vaksinohen, pasi të kenë dhënë deklaratën e pajtueshmërisë për vaksinim, janë të mirëpritur, nëse duan ta përcjellin nga afër vaksinimin.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, ekipet mobile të organizuara nga Ministria e Shëndetësisë kanë kryer procesin e vaksinimit të nxënësve në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë. /Lajmi.net/