Ministria e Mbrojtjes e konfirmon pranimin e letrës nga komandanti i FSK-së, por e quajnë “komunikim të zakonshëm”

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar sa i përket shujtave të ushqimit për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në komunikatën e lëshuar nga Ministria thuhet se nuk ka mungesë të ushqimit siç po raportohet, por se kjo është një propagandë pasi që të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë. Tutje u…

Lajme

11/10/2024 15:05

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar sa i përket shujtave të ushqimit për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në komunikatën e lëshuar nga Ministria thuhet se nuk ka mungesë të ushqimit siç po raportohet, por se kjo është një propagandë pasi që të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë.

Tutje u tha se e vetmja mungesë që përballen është mungesa e stafit teknik.

‘’Të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe po shërbehet llojllojshmëri shujtash pavarësisht nga jo që po tentohet të propagandohet në disa medie dhe rrjete sociale. E vërteta është se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë, e vetmja gjë me të cilën po përballemi është mungesa në numër e stafit teknik, pasi kuzhinierët veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Sutdentore si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës. Ky problem do të zgjidhet sapo të mbyllet konkursi për pranimin e stafit profesional vetanak, konkurs ky që është hapur dhe çdo procedurë do të përfundoj në afat prej 45 ditësh. ‘’ thuhet në komunikatë

Nga kjo ministria e kanë konfirmuar po ashtu letrën e komandantit të FSK-së, Jashari i cili paralajmëroi se mund të ndalen aktivitetet e FSK-së.

Por nga ministria u munduan që ta “zbusin” këtë letër duke iu referuar si vazhdë e komunikimeve.

“Ndërsa letra drejtuar Ministrit të Mbrojtjes nga Komandanti i FSK-së është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm ku raportohen vështirësitë të cilat hasen gjatë rrugës, dhe sigurisht se ndërtimi i kapaciteteve të vetqëndrushmërisë sa i përket ushqimit nuk është një proces pa vështirësi. Përgjatë kësaj periudhe kalimtare do të ndërmirren masat për të siguruar vazhdimësinë e ofrimit të këtij shërbimi.Ushtarakët nuk do të mbesin pa ushqim, këtë ua garantojmë pjesëtarëve të FSK-së”./Lajmi.net/

“Do të ndërpriten aktivitetet, ushtarët janë në rrezik të helmohen”: Komandant Jashari i shkruan letër Maqedoncit