Ministri Krasniqi kërkon zbatim të programit të zhvillimit rural
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka vizituar sot Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, e cila funksionon në kuadër të ministrisë, me ç’rast ai është njoftuar më për së afërmi me punën që po bëhet në këtë agjencion.
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2015/03/Ministri-Memli-Krasniqi.jpg)
Lajme
Agjencia është institucioni që zbaton Programin e ministrisë për zhvillim rural por edhe atë për pagesa direkte.
Gjatë kësaj vizite, Ministri Krasniqi është takuar me Kryeshefin ekzekutiv, Elhami Hajdari dhe me stafin e kësaj agjencie, të cilët i ka përgëzuar për punën që po e bëjnë për implementimin e programeve të MBPZhR-së, duke thënë se vetëm përmes një pune të madhe dhe koordinim institucional do të arrihen të tejkalohen edhe problemet dhe sfidat që ata përballen gjatë punës së tyre.
“Dyfishimi i buxhetit për sektorin e bujqësisë, ka bërë që të rritet edhe mbështetja për shumë sektor të bujqësisë për vitin 2015 dhe kjo nënkupton që edhe sivjet do të rritet edhe numri i aplikacioneve të fermerëve, gjë që do të rrisë edhe volumin e punës në këtë agjencion dhe kjo sigurisht që kërkon një angazhim edhe më të madh të stafit të agjencisë”, ka thënë ministri Krasniqi.
Me këtë rast, Ministri iu ka shprehur atyre përkushtimin e tij për të pasur gjithnjë prioritet kryesor transparencën dhe efikasitetin në punë, sepse në këtë mënyrë ai tha se do të mund të arrihen rezultate dhe do të mundësohet implementimi i programit në tërësi.
“Për të gjithë ne prioritet kryesor duhet të jetë implementimi i programit sipas ligjit dhe ne të jemi garant që çdo mbështetje të jepet sipas kritereve dhe programit. Çdo përpjekje që kjo të shkojë ndryshe është shkelje e ligjit dhe secili duhet të japë përgjegjësi për këtë”, ka thënë ai, derisa ka premtuar se MBPZHR-ja do të punojë që kushtet e punës dhe kapacitete në këtë institucion të përmirësohen, gjithnjë me synim për një autonomi sa më të madhe të agjencionit.
Në anën tjetër, kryeshefi Elhami Hajdari, e informoi ministrin për punën e Agjencisë dhe e siguroi atë se do të angazhohen me shumë përkushtimin për implementimin e Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Programit për Pagesa direkte për vitin 2015.