Ministri i Drejtësisë kërkon miratimin e Kodit të ri Penal

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri sot ka prezantuar në shqyrtim të parë Projekt-Kodin Penal të Republikës së Kosovës para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Lajme

05/06/2018 17:38

Me këtë rast ministri Tahiri tha se hartimi i këtij Kodi është një nga proceset më demokratike, profesionale dhe gjithëpërfshirëse që ka karakterizuar ndonjë ligj në Republikën e Kosovës.

Ministri Tahiri tha se kompletimi i këtij Kodi paraqet një hap të rëndësishëm për Republikën e Kosovës.

“Kompletimi i këtij Kodi paraqet hap mjaft të rëndësishëm në zhvillimin e sistemit të drejtësisë në Republikën tonë, që të mundësojë punë më efikase në zbatimin më rigoroz të standardeve të drejtësisë si dhe intensifikimin e përpjekjeve tona si institucione në një dimension tërësisht të ri”, tha ministri Tahiri.

Tahiri tha se hartimi i këtij Kodi Penal i jep karakter të mirëfilltë edhe sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Në rrafshin e kritereve të definuara jemi përpjekur dhe ia kemi arritur të prodhojmë një Kod Penal bashkëkohor që i jep karakter të mirëfilltë sistemit të drejtësisë, që synon mbrojtjen e jetës, pronës dhe lirisë së qytetarit, që rrit sigurinë juridike të qytetarëve, që mundëson luftim efikas të korrupsionit dhe krimit të organizuar, që mundëson efikasitet të punës së organeve të pavarura të zbatimit të ligjit dhe që i jep filozofinë e mirëfilltë shtetit ligjor”, tha Tahiri, njofton Kallxo.com.

Ministri Tahiri u shpreh i zhgënjyer që një projekt kaq të madh po e prezanton para deputetëve që ishin në numër të vogël në Kuvendin e Kosovës.

Tahiri u shpreh i bindur që me ndryshimet e propozuara në këtë Kod,  po vendosen tiparet e një drejtësie që i mundëson Republikës së Kosovës klasifikimin si shtet që ka të sigurt zhvillimin dhe progresin.

Ndërsa deputeti Korab Sejdiu në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së tha se e grupi i tyre e përkrah Projekt- Kodin Penal, ndërsa shtoi se shumë rrallë po i shohin ministrat në Kuvend.

“Po duhet mu çu me ju fol për së dyti kur po ju shohim në Kuvend se jeni bo jabanxhi këtu në Kuvend. Grupi jonë e përkrah këtë Projekt-kod”, shtoi Sejdiu.

Edhe Hajdar Beqa në emër të Grupit Parlamentar të PDK-s tha se e mbështesin Projekt- Kodin Penal.

“Mendoj që është një ndër aktet më të mira që ndikon në luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar në vend. Do t’i japim vërejtjet dhe sugjerimet tona. Sot PDK e mbështet projekt-kodin penal”, tha Beqa.

Ndërkaq, Albulena Haxhiu në emër të LVV, por edhe si anëtare e Komisionit për Legjislacion tha se ky Projekt Kod, është njëri nga projektligjet më të rëndësishme i Republikës së Kosovës.

“Gjatë trajtimit të tij duhet të kemi kohë të mjaftueshme. Ministri i Drejtësisë tha se ka pas ndërhyrje në 100 nene por unë sinqerisht e ftoj ministrin të na tregoj një nga një cilat janë ndryshimet se neve po na dalin vetëm 30”, shtoi Haxhiu.