Mimoza e nis javën si Kryetare
Asambleja Komunale e Gjakovës e ka caktuar për të hënën paradite, më 16 dhjetor, seancën inauguruese e përbërjes së re të saj, të dalë nga zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Lajme
Dita e parë e punës së javës së ardhshme do të jetë edhe dita e parë e punës për Mimoza Kusari-Lilën në postin e shumëdëshiruar të Kryetares së Komunës së Gjakovës.
Asambleja Komunale e Gjakovës e ka caktuar për të hënën paradite seancën inauguruese e përbërjes së re të saj, të dalë nga zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Në këtë seancë do ta japë betimin edhe Mimoza Kusari-Lila, procedurë e cila edhe formalisht do ta zyrtarizojë atë si Kryetaren e parë femër të një Komune të Kosovës.
Kusari-Lila do ta marrë këtë post nga Pal Lekaj i AAK’së.
Ky i fundit dje ka mbajtur takimin përshëndetës me stafin e Komunës të cilët i ka falënderuar për bashkëpunimin gjatë dy mandateve sa ka qenë në krye të Gjakovës.