MI-ja kundërligjshëm tejkaloi vlerat e kontratave për mijëra euro, nga 500 mijë e rriti në 5 milionë euro një kontratë
Përdorimi i kontratave jo adekuate, vlera të paqarta dhe tejkalim i pagesave për kontratat publike dhe ato kornizë, ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditmit në disa kontrata të Ministrisë së Infrastrukturës.

Lajme
Nënshkrimi i kontratave të paqarta sa i përket çmimit dhe sasive. Tejkalimi i vlerës tek kontratat ne mungesë të buxhetit. Prezantimi i gabuar i sasive në dosjen të tenderit duke përfituar çmime më të larta të ofertave. Këto janë disa prej shkeljeve që ka evidentuar ZKA-ja tek Ministria e Infrastrukturës në Raportin e Publikuar për vitin 2020.
Me datë 02.03.2018 ministria kishte lidhur kontratë publike për projektin “Mirëmbajtja e Urave për rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës”. Gjatë analizimit të pagesave për këtë kontratë, auditori ka vërejtur se vlera e kontratës nga 500 mijë euro ishte rritur në 5 milionë euro në mënyrë të kundërligjshme, shkruan lajmi.net.
“Edhe pse njësia e kërkesës kishte hartuar sasitë indikative vjetore duke kërkuar inicimin e procedurave të prokurimit përmes një kontrate kornizë, zyra e prokurimit me datën 02.08.2017 kishte bërë njoftimin për kontratë për aktivitetin e prokurimit përmes procedurës së hapur ku në dosjen e tenderit dhe njoftim për kontratë nuk kishte specifikuar se do të aplikohet kontrata kornizë dhe nëse lejohet devijimi +/- 30%. Përveç sasive indikative, në dosje ishte prezantuar edhe paramasa me çmim për njësi (sasia 1) pa përcaktuar peshët në bazë të rëndësisë së secilës kategori të shërbimeve ose secilit artikull. Si rezultat i këtij procesi të prokurimit, kontrata ishte nënshkruar për periudhë dy vjeçare me çmimin për njësi vjetore prej 4,348€ dhe vlera indikative 1,807,749€. Kjo bie në kundërshtim me kërkesat ligjore, sepse në rastet e tilla kur mund të parashikohet sasia indikative kjo kontratë nuk aplikohet”, thuhet në raport të ZKA për Ministrinë e Infrastrukturës.
Ndër të tjera, sipas auditorit, kjo kontratë ishte e paqartë edhe për sa i përket vlerës së saj, kjo sepse përveç çmimit për njësi dhe vlerës indikative, në nenin 24 të kontratës thuhej “bazuar në deklaratën nën betim të ngarkuar në sistemin e e- prokurimit si dhe ligjin e buxhetit 06/L-020 për vitin 2018, për këtë kod ka mbështetje buxhetore 4,352,022€”⁷. Ndërsa, në deklaratën e nevojave dhe në dosjen e tenderit, vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte vetëm 500,000 euro.
“Tutje, me datë 26.10.2020 ishte bërë pranimi teknik ku vlerësimi i punëve të kryera ishte 5,377,058 euro. Nga kjo, pagesa të realizuara deri në fund të vitit 2020 ishin 3,536,656 euro, ndërsa pjesa tjetër ishte bartur si obligim në vitin 2021”
Auditori ka shkruar se ZKF dhe Drejtori i Infrastrukturës Rrugore, kishin kërkuar sqarim nga zyra e prokurimit lidhur me definimin e vlerës së kësaj kontrate, ndërsa nga kjo e fundit, ishte dhënë sqarim se kjo kontratë është me çmim njësi me poentim për të cilën nuk vlen tavani plus/minus 30%.
“Këto sqarime, bien ndesh me proceduarën e prokurimit të realizuar për lidhjen e kësaj kontrate, sepse nuk ishte bërë peshimi i çmimeve. Sqarime ishin kërkuar edhe nga NJAB, i cili kishte rekomanduar që ZKA dhe ZKF të ndërmerrnin masat ligjore për shlyerjen e borxheve ndaj OE për faktin se puna është realizuar nga OE dhe është pranuar nga menaxheri i kontratës dhe gjithashtu faturat ishin të pranuar dhe të njohura si obligime nga departamenti i financave”, ka shkruar Auditori.
Po sipas ZKA, për projektin “Mirëmbajta Verore dhe Dimërore e Rrugëve Nacionale dhe Regjionale të Kosovës”, ishte aplikuar dosja e tenderit për kontratën publike kornizë shërbim me disa operator. Vlera e parashikuar për tri vite për 14 llote në dosje të tenderit por edhe në deklaratë të nevojave ishte 17,231,050 euro. Ngjashëm si në rastin tjetër, edhe pse ishte përcaktuar sasia indikative, kontratat ishin nënshkruar për çmim njësi pa përcaktuar peshën në bazë të rëndësisë së secilës kategori të shërbimeve ose secilit artikull.
“Testimi i mostrave tona për dy llote, vunë në dukje se vlera e realizuar për këto kontrata ishte më e lartë se vlera indikative e tyre:
“Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve rajonale dhe regjionale –Regjioni Gjilan 2”, Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 1,095,095€, vlera indikative 996,211€ (bazuar në sasitë indikative të dosjes), ndërsa çmimi për njësi më të cilin ishte nënshkruar kontrata ishte 337.53€. Realizimi i kësaj kontrate deri në fund 2020 ishte 2,140,908€”, ka shkruar ZKA.
”Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve Nacionale dhe Regjionale të Kosovës 2017/2018/2019, Regjioni Gjakova 1” Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 1,579,083 euro vlera indikative 1,359,436 euro, çmimi për njësi 106.62 euro.
ZKA thotë se realizimi i punëve sipas menaxherit të kontratës për periudhën 2019-20 ishte 2,095,841 euro, ndërsa pagesa të realizuara për ketë periudhë ishin 1,630,462 euro .
“Vlen të përmendet se të gjitha kontratat e nënshkruara si derivat i kësaj procedure të prokurimit kishin parregullsitë e njëjta.
Mos aplikimi i duhur i procedurave nga zyra e prokurimit duke mos harmonizuar nevojat nga njësia e kërkesës me informatat e prezantuara në dosje, si dhe gabimet në hartimin e kontratës dhe më pas shpjegimet jo adekuate të dhëna nga kjo zyre gjatë realizimit të kontratës (tek mirëmbajtja e urave) ishin ndër shkaqet kryesore të tejkalimeve dhe parregullsive të identifikuara”, thuhët ën raport të ZKA për MI.
Auditori ka shfaqur rrezikun se nënshkrimi i kontratave të paqarta sa i përket çmimit dhe sasive, e bëjnë të vështirë menaxhimin e tyre dhe mund të shpie në tejkalimin e tyre përtej planifikimit. Derisa tejkalimi i vlerës tek kontratat publike dhe ato kornizë mund të rezultojë me mungesë të buxhetit për realizimin e projekteve tjera të parapara. Tutje, prezantimi i gabuar i sasive në dosjen e tenderit mund të ketë ndikim në dëmtimin e konkurrencës, duke përfituar çmime më të larta të ofertave. /Lajmi.net/
Lexo edhe: