Ministria e Infrastrukturës bën shkelje të rëndë ligjore, paguan afro 200 mijë euro më shumë se vlera e kontratës

Ministria e Infrastrukturës që udhëhiqet nga Arban Abrashi ka bërë shkelje të rëndë ligjore për një tender që ishte lidhur në kohën kur në ministri ishte ministër Pal Lekajt. Shkeljet kanë bazë të madhe për nisjen e hetimeve edhe nga ana e prokurorisë.

Lajme

05/03/2021 18:40

Akoma askush nuk ka dalë para ligjit se pse janë lenë pa mirëmbajtje horizontale dhe vertikale rreth 700 kilometra rrugë nacionale dhe rajonale që nga viti 2017. Që katër vite MI po orvatet të finalizojë edhe dy pjesë të tenderit “Sinjalizimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve në rrugët Nacionale dhe Rajonale”, por procesi nuk po përfundon ngase po bëhen shkelje ligjore.

Gjashtë pjesë (lote) tjera të këtij tenderi janë lidhur në vitin 2018, rrjedhimisht këto kontrata pritet të përfundojnë në fund të këtij viti, pasi tenderi ka qenë kornizë për 36 muaj.

Lajmi.net ka mësuar se Ministria e Infrastrukturës ka bërë shkelje të rënde ligjore gjatë implementimit të kontratës për lot 8 që ka të bëjë me mirëmbajtjen e ndriçimit publik në rrugët nacionale dhe rajonale.

Kjo kontratë, ishte lidhur në vlerë prej 78.293,00 euro për një vit, ose 234 mijë e 879 euro për tri vite.

Lajmi.net ka mësuar se ministria ka bërë pagesa në llogari të kompanisë kontraktuese “Select Prima” në vlerë prej mbi 400 mijë eurove, duke bërë kështu tejkalim të kontratës rreth 60 për qind.

Mësohet se menaxher i kontratës është zyrtari Emir Morina.

Lajmi.net nuk ka arritur të shohë kontratën, për të parë se sa është vlera e lejuar për tejkalimin e kontratës, pasi ajo nuk është e publikuar në ueb-faqen e KRPP-së. Ministria e Infrastrukturës nuk ka dashur të japë asnjë sqarim sa sa është vlera e pagesave që ka bërë për këtë kontratë, konkretisht për lot 8.

Megjithëkëtë, sipas Ligjit të Prokurimit Publik, në rast se kontrata publike kornizë lidhet për më pak se tridhjetë e gjashtë muaj, ajo nuk mund të zgjatet mbi afatin e përcaktuar, pa zhvilluar procedurat e reja të prokurimit. Kjo do të thotë se kohëzgjatja e kontratës publike kornizë duhet të përcaktohet që në fillim të procesit të prokurimit. Po ashtu, sipas ligjit, mospërputhja e lejuar nuk mund të jetë më e lartë se plus/minus tridhjetë për qind (30%). Nëse urdhër-blerjet tejkalojnë sasinë totale indikative ose vlerën totale indikative të kontratës publike kornizë (duke përfshirë + tridhjetë për qind (30%) pa marrë parasysh datën origjinale të Kontratës Publike Kornizë, kontrata duhet të ndërpritet menjëherë.

Edhe nëse do të kishte tejkalim për 30 për qind, sipas ligjit duhet të mblidhej një Komision që të aprovojë atë, gjë që në këtë rast nuk ka ndodhur, ani pse ajo është tejkaluar për rreth 60 për qind.

Auditori Gjeneral shpesh ka tërhequr vërejtjen se tejkalimi i kontratës mbi normën e lejuar mund të ndikojë që organizata buxhetore të hyjë në obligime financiare të pa planifikuara. “Në rastet kur tejkalimi i kontratës arrin shkallën 30% kontrata duhet të ndërpritet menjëherë”, thoshte auditori për rastet e tilla.

Në këtë kontratë, sipas Paramasës dhe Parallogarisë kontraktuesi është i obliguar që të bëjë: 1, Mirëmbajtjen e numëruesve automatik në rrugët magjistrale e rajonale të Kosovës, 2. Mirëmbajtjen e semaforëve në rrugët magjistrale e rajonale të Kosovës, 3. Mirëmbajtjen e ndriçimit publik në rrugët magjistrale dhe rajonale të Kosovës.

Lajmi.net ka parë që në shumë vende që janë nën autoritetin e ministrisë nuk punojnë ndriçuesit e rrugës. Për shembull, fotografia më poshtë është shkrepur mbrëmë tek rrethrrotullimi në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, konkretisht tek ndarja e rrugëve Prishtinë –Mitrovicë. Në fotografi shihet që disa prej ndriçuesve që janë nën autoritetin e ministrisë nuk punojnë. /Mentor Buzhala –Lajmi.net/

Lexo edhe:

https://lajmi.net/i-shkroi-kriteret-e-tenderit-me-pas-zyrtari-i-ministrise-behet-pronar-i-kompanise-fituesei-shkroi-kriteret-e-tenderit-me-pas-zyrtari-ministrise-behet-pronar-i-kompanise-fituese/?fbclid=IwAR0MGnajwI9cqIpMknVXDd9vzG27ULu-KDjKFoyUo6sumxullfvp-fsDdIs