Mes kushteve të rënda ekonomike e problemeve shëndetësore, familja Morina kërkon ndihmë

Në një dhomë jeton familja tre anëtarëshe Morina nga fshati Gllarevë i Klinës. Për të gjitha nevojat duhet të shfrytëzohet vetëm kjo hapësirë, në të cilën mungon pothuajse gjithçka elementare, shkruan lajmi.net

Lajme

09/05/2021 20:18

Kryefamiljari, Arsim Morina është i papunë, ashtu si edhe bashkëshortja e tij. Ai, thotë se nuk është në gjendje për të punuar, si pasojë e problemeve shëndetësore, të cilat edhe e bënë të pësojë ndryshime drastike në fizik.

“Gjendja ime aktuale është kjo, këtu me këtë dhomë, pa punë, që disa vjet punojë më karrocë nga pak.  Jam person me aftësi të kufizuara, me problem shëndetësore.Problemet shëndetësore janë se i kam 7-8 litra ujë në bark, kam probleme me lukth, me mëlqi, me zorrë. I kam humb 80 kg prej problemeve shëndetësore, i kam pas 150 kg e tash peshoj 70 kg”, tha ai për lajmi.net.

38 vjeçari së bashku me gruan dhe vajzën, të ardhura të vetme kanë ndihmën sociale prej 75 eurosh, e që janë të pamjaftueshme për të përmbushur të gjitha nevojat.

“Të ardhurat e mia janë 75 euro. Mos me qenë ndihma e njerëzve të vullnetit të mirë, pa ndihmën e tyre unë nuk mundem me ekzistu asnjë ditë, as ilaqet nuk mundem me i ble, as për fëmijë, as për asgjë”, shtoi ai.

Derisa  kanë nevojë për vendbanim, shërimi është kryesorja, por që për këtë Morina thotë se duhet trajtim jashtë vendit.

“Më kanë rekomandu me shku jashtë shtetit sepse këtu për momentin nuk janë duke gjet shërim. .. Më kanë thënë me shku në Turq për problemin e ujit, mëlçisë dhe për problemin e lukthit. Kryesorja është njëherë shërimi, pastaj vendbanimi nëse ka mundësi të bëhet, nëse njerëzit e mirë shprehin dëshirë për me bë, nëse arrijnë e kam sukses në shërim Kjo dhomë nuk i plotëson kushtet aq, por çka me bë se duhet më nejt derisa të bëhet një zgjidhje”, tha ai.

E, për të siguruar të ardhura për të mbuluar disa shpenzime, ai ka shpërndarë disa fletushka nëpër markete, por që nuk i sollën rezultat.

“Për momentin nuk kam përfitu, përjashtim këto. Vetëm në komunën e Klinës dhe disa markete në Kievë i kam shpërnda këto fletushka. Disa markete nuk i kanë pranu. Nëse nuk ndërmerr dikush diçka, sa për këto nuk ka asgjë…. Në tjerat nuk kam mundur me i  shpërnda sepse jam ligsht dhe nuk ka kush me vrapu pas meje. Në spital vetë kam qëndru, s’ka kush bënë për mu diçka”, tha ai.

Mori ka bërë thirrje ta ndihmojnë të gjithë ata që kanë mundësi.

Të gjithë të interesuarit për të ndihmuar familjen Morina, mund të kontaktojnë në +38349140175./Lajmi.net/