Merz uron Kurtin: Rizgjedhja juaj ofron mundësinë për të ndërtuar ura përtej vijave partiake

Kancelari federal i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka uruar Albin Kurtin për rizgjedhjen e tij në postin e kryeministrit të Kosovës. Në letrën e urimit, Merz ka përmendur muajt e fundit të pasigurisë politike duke theksuar se kjo periudhë ka kërkuar shumë nga Kosova, ndërsa ka vlerësuar se konfirmimi i Kurtit në detyrë krijon mundësi për…

Lajme

01/10/2026 17:06

Kancelari federal i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka uruar Albin Kurtin për rizgjedhjen e tij në postin e kryeministrit të Kosovës.

Në letrën e urimit, Merz ka përmendur muajt e fundit të pasigurisë politike duke theksuar se kjo periudhë ka kërkuar shumë nga Kosova, ndërsa ka vlerësuar se konfirmimi i Kurtit në detyrë krijon mundësi për tejkalimin e çështjeve institucionale dhe avancimin e reformave.

“Konfirmimi i zgjedhjes suaj ofron mundësinë për të ndërtuar ura përtej vijave partiake, për të zgjidhur çështjet e mbetura institucionale dhe për të avancuar reformat”, tha Merz në letrën e tij.

Gjithashtu, ai tha se përparimi i konsiderueshëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, mbetet thelbësor.

Në fund, ai tha se “Gjermania vazhdon të qëndrojë fuqishëm në krah të Kosovës. Ne kemi një miqësi të veçantë me popullin e Kosovës”.