Syla: Ne jemi anëtarë të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale prej 16 shtatorit, prej një gjykate që nuk e di se çka ka ndodhur në vitin 1998/1999 këtu

Përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla para protestuesve në shesh e filloi fjalimin duke ironizuar me vendimin e Gjykatës Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së. Pastaj, Syla tha se UÇK që nga viti 2000 po përballet me procese gjyqësore, në emër të drejtësisë ndërkombëtare. “Ne jemi anëtarë të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale prej 16 shtatorit, prej një…

Lajme

01/10/2026 16:53

Përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla para protestuesve në shesh e filloi fjalimin duke ironizuar me vendimin e Gjykatës Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Pastaj, Syla tha se UÇK që nga viti 2000 po përballet me procese gjyqësore, në emër të drejtësisë ndërkombëtare.

“Ne jemi anëtarë të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale prej 16 shtatorit, prej një gjykate që nuk e di se çka ka ndodhur në vitin 1998/1999 këtu. Turpi i mbuloftë kudo që janë ata. Në emër të drejtësisë ndërkombëtare, UÇK-ja u përballë me procese gjyqësore që nga viti 2000. Që nga paslufta, ushtarë e ish-komandantë të UÇK-së u ballafaquan me procese të shumta gjyqësore, si brenda edhe jashtë Kosovës. Le t’i kujtojmë disa vendime të shkallës së parë, me qëllim du me i theksu tendecën e drejtësisë ndërkombëtare që qëllimisht ka provu me nxjerrë dënime të larta. Grupi i Dukagjinit, Daut Haradinaj me shokë, 31 vjet burg, grupi i Llapit, Remi me shokë 45 vjet burg, Rasti Kiqina-Ramadani 185 vjet burg, Tribunali i Hagës, Fatmir Limaj me shokë, 3 vite proces, 13 vite Hajradin Balaj i dënuar. Rasti Ramush Haradinaj, procesi, paraburgimi i tij dhe i bashkëluftëtarëve të tij zgjatën 9 vite në periudha të ndryshme. Rasti Drenica, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku me shokë 71 vjet burg të dënuar. Grupi i Kaçanikut, Ejup Runjeva me shokë, 20 vjet burg. Grupi i Gjilanit, i gjykuar në Serbi për akuzat të lidhura me luftën e Kosovës, dënohet me 116 vjet burg. Po ashtu edhe komandanti i UÇPMB-së, Shefket Musliu qëndroi 9 vite në burg. Nëse i mbledhim vetëm këto shifra, arrihet shifra mbi 500 vite burg për UÇK-në. Këto janë vetëm një pjesë e rasteve, duke lënë të papërfshirë shumë raste tjera, grupe dhe individë që u ballafaquan me drejtësinë e dënime të larta. Dënimi i katër krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, e cila është e gjithkujt përpos e Kosovës, është vetëm vula e turpit të drejtësisë ndërkombëtare. Dënimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Salih Mustafës, Pjetër Shalës me 125 vite burgim, e qon numrin e viteve që është dënuar lufta jonë në 627 vjet burgim.”, tha ai.

Syla iu drejtuar miqve ndërkombëtarë, duke shtuar se njolla për UÇK-në dhe Kosovën është njollë edhe për ta.

“Ju miqtë tanë ndërkombëtarë që na ndihmuat të çlirohemi, të ndërtojmë këtë shtet, na thatë që ta bëjmë këtë gjykatë, hiqjani njollën UÇK-së dhe shtetit tuaj, ne ju dëgjuam, e bëmë, por kjo gjykatë nuk e hoqi njollën as nga UÇK-ja, as nga Kosova. Përkundrazi, kjo gjykatë po na njollosë neve, po ju njollosë juve. Prandaj, ju miqtë tanë, jeni në gjyq para popullit tonë, jo si armiq, por si miq që na ndihmuat në ditët më të vështira. Nga ky shesh ju themi, hiqeni këtë njollë prej jush dhe prej nesh, hiqeni përmes drejtësisë, përmes apelit. Si ka mundësi që të jenë më të besueshme për këtë gjykatë dosjet e Serbisë, më shumë se dëshmitë e zyrtarëve amerikan dhe anglez. A e din se kurrë nuk keni pasur dhe nuk do të keni aleatë më besnik se ushtarët e UÇK-së. Me 24 mars 1999, kur NATO filloi fushatën ajrore kundër regjimit të Millosheviqit, ne ishim në të njëjtën anë, ne ishim ushtarë të lirisë, ne ishim ushtarë të gjeneralit Wesley Clark dhe NATO-s.”, shtoi ai.

Në fund, Syla u shpreh se qytetarët nuk duan favore, por drejtësi të pastër si loti.

“Sot nga ky shesh i mbushur me zemra që rrahin për atdheun, i bëjmë thirrje gjithë botës demokratike. Ne nuk kërkojmë favore, por drejtësi të pastër si loti, sepse nuk ka gjykatë në këtë rruzull tokësor që mund ta zhbëjë të vërtetën e pastër, të gjakut tonë për liri.”, përfundoi ai./lajmi.net/