Mënyra e duhur e zierjes së lulelakrës pa ia humbur vlerat ushqyese

Zierja e lulelakrës ashtu si edhe e brokolit është një proces delikat. Kjo pasi, kjo perime nuk kërkon shumë kohë për t’u zierë.

Lifestyle

30/03/2021 10:20

Lulelakra është një ndër perimet më të shëndetshme të sezonit. Ajo kombinohet në receta të ndryshme gatimi me shije fantastike.

Por ashtu si çdo perime tjetër edhe lulelakra ka sekretet e saj përsa i përket mënyrës së gatimit, ku rëndësia kryesore është ajo e ruajtjes së vlerave ushqyese të saj.

Ne iu sjellim më poshtë dy mënyra perfekte të zierjes së lulelakrës në shtëpi duke i ruajtur vlerat dhe duke e përgatitur në sallata të ndryshme të shijshme e të shëndetshme.

Procesi i Zierjes

Zierja e lulelakrës ashtu si edhe e brokolit është një proces delikat. Kjo pasi, kjo perime nuk kërkon shumë kohë për t’u zierë.

Kërkon vetëm pak minuta, në të kundërt ajo mund të bëhet e qulltë duke humbur vlerat dhe njëkohësisht edhe shijen.

Në rastin e zierjes së lulelakrës, AgroWeb.org ju udhëzon që fillimisht të ndani përmes një thike të mprehtë degëzat nga kërcelli. Kërcellin priteni në feta nga 1 cm.

Vendosni një tenxhere me ujë dhe kripë në zjarr dhe lëreni të vlojë.

Sapo të nisë vlimin, si fillim shtoni fetat e kërcellit të lulelakrës, lëreni të ziejnë për 1 minutë e më pas shtoni degëzat e lulelakrës duke i lënë të ziejnë për 5-6 minuta.

Më pas, largojeni tenxheren nga zjarri, kullojini lulelakrat nga uji i nxehtë dhe futini në një enë me ujë të ftohtë për disa minuta.

Në këtë mënyrë, lulelakra do ndalojë direkt procesin e zierjes duke ruajtur vlerat e saj ushqyese.

Në rastin e supave, gjithmonë degëzat e lulelakrës shtojini 8-10 minutat e fundit para se tenxheren ta largoni nga zjarri. 

Procesi i Përgatitijes me Avull  

Procesi i përgatitjes së lulelakrës në avull është një metodë shumë e shëndetshme për të ruajtur vlerat e kësaj perimeje.

Mjafton të vendosni një tenxhere me dy-tre gota ujë në zjarr dhe pak kripë.  Sapo uji të nisë të vlojë, vendosni në tenxhere një kullesë metalike me vrima (si ajo e makaronave) dhe në të vendosni degëzat e lulelakrës.

Mbylleni me kapat dhe lëreni të gatuhet përreth 8-10 minuta, derisa lulelakrat të zbuten por jo të qullen.

Në këtë rast, përgatitja e lulelakrës në avull kërkon pak minuta më shumë se sa procesi i zierjes. /Lajmi.net/