Memli Krasniqi, VV-së: Ju e shkarkuat Naser Ramadanin, si s’po u vjen keq ta përmendni

Në Kuvendin e Kosovës është duke vazhduar debat i ashpër në lidhje me menaxhimin e pandemisë së koronavirusit gjatë qeverisjes së  Vetëvendosjes.

Lajme

04/06/2020 13:06

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi fillimisht ka kritikuar qeverinë e re për shkak të mosprezencës së tyre në seancën e parë të Kuvendit, që prej emërimit në qeveri, shkruan lajmi.net.

“Kjo qeveria e re e ka nisë mbrapshtë, sepse obligimi kryesor i qeverisë është që kur të mblidhet Kuvendi të jenë prezent”, ka thënë ai.

Krasniqi shtoi tutje se vendimet e VV-së në fund kur të merret verdikt nga Gjykata, mund të dalin kriminale, për shkak të pasojave që kanë pasur ato.

“Sot po i shohim do siklete të deputetëve, dhe unë kam besim që sikur këta të kishin qenë në vend të Albin Kurtit dhe Arben Vitisë nuk i kishin marrë ato vendime. Kushedi a do të dalin ato vendime kriminale,  dyshime ka, dhe më dhimbsen nëse ua imponojnë me i mbrojtë ato.  Testet e Serbisë kanë ardhur në gepek, jo në bagazh, madje nga punëtorët e Gjuriqit”, tha Krasniqi.

Krasniqi foli edhe për donacionet që u tha se kanë ardhur nga Serbia në kohën sa ministër ishte Uran Ismaili i PDK-së.

Për të njëjtat, Krasniqi tha se kanë ardhur të gjithë me dokumentacione, ndryshe nga testet që kanë ardhur nga Serbia.

“Kemi me i pru me dokumente krejt donacionet që kanë ardhur në të kaluarën, sepse kanë ardhur me dokumente. E vetmja herë që kanë ardhur pa dokumentacion është kjo në kohën tuaj. Masi jemi të instituti, pse spo iu vjen keq me e përmend Naser Ramadanin, ju e keni shkarku Naser Ramadanin nga bordi i SHSKUK-së. Mos dilni ktu tash me livdu njerin. Në bordin ku ka qenë kryesues, në bordin ku e ka ba kryesues një ish-ministër i PDK-së. Qysh ja keni nis me shkarku  ju, e kishit shkarku edhe nga IKSHP. Qysh bre s’ka pasë maska? 60 mijë maska i keni pas në SHSKUK. Çka ju ka vyjt Vitisë dhe ministrisë së tina me ble hala. Me  i favorizu bizneset ku ka punu ma herët a? Mos u boni argat, dhe mos rrezikoni”, ka thënë Krasniqi.

Në fund, Krasniqi ia ka përmendur Vetëvendosjes edhe dy verdiktet e Gjykatës Kushtetuese, kur e njëjta kishte cilësuar se Vetëvendosje kishte shkelur Kushtetuesen me masat që ka marrë për pandeminë.

“A po harroni që e keni shkelë Kushtetutën e Kosovës dy herë. Janë së paku edhe tri shkelje por ato s’i ka qu kërkush në Kushtetuese. Edhe thuani që u menaxhu mirë. Për që u menaxhu keq atë e dijmë të gjithë”, tha në fund Krasniqi. /Lajmi.net/