Mehmetaj me akuza të forta: Ia lëshoi incizimin live – deputeti i VV-së dhe një grup kishin planifikuar ta rrihnin për vdekje Safet Gërxhaliun

Gazetari Lirim Mehmetaj ka ngritur akuzë ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Valon Hoti, duke pretenduar se ai ka qenë pjesë e një plani për të vrarë ish-kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu. Në një postim të tij publik, Mehmetaj ka bërë një përshkrim të frikshëm të ngjarjes që, sipas tij, përfshinte grupin e Hotit:…

Lajme

05/07/2025 18:54

Gazetari Lirim Mehmetaj ka ngritur akuzë ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Valon Hoti, duke pretenduar se ai ka qenë pjesë e një plani për të vrarë ish-kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Në një postim të tij publik, Mehmetaj ka bërë një përshkrim të frikshëm të ngjarjes që, sipas tij, përfshinte grupin e Hotit: “Plani i Vetëvendosjes, që pritej të ekzekutohej nga Hoti dhe disa të tjerë, ishte që të rrihej për vdekje Gërxhaliu… Hoti bashkë me grupin i kishin dal në pritë Gërxhaliut dhe po e prisnin që ta sulmonin kur ai vjen tek shtëpia e tij.”, transmeton lajmi.net

Mehmetaj thotë se gjatë pritës, janë dëgjuar krisma, por grupi u tërhoq, duke mos kryer vrasjen siç planifikonin. Ai është zotuar se nëse Hoti mohon përgjegjësinë: “E ftoj në ballafaqim në ndonjë debat dhe ia lëshoj incizimin për rastin live.”

Gazetari gjithashtu lidh këtë rast me sulmin me zollë në Kuvend të Kosovës.

“Pjesë e grupit atë natë me këtë Valonin ishin edhe disa që më pas u përfshinë në organizimin e sulmit me zollë në Kuvendin e Kosovës.”, shkroi ai.

Në përfundim, Mehmetaj përfundon me një mesazh të fortë politik: “Shtetin e Kosovës pas lufte e kanë sulmuar vetëm dy grupe: Serbia… dhe Lëvizja Vetëvendosje… Duhet të vazhdojmë kolektivisht të kemi kujdes nga këto dy grupe…”.

Ky postim i Mehmetajt vjen pasi Hoti shkroi një postim duke thënë se: “Në takimin e thirrur nga Kryetari i Lëvizjes, njëherësh Kryeministri i Republikës, Albin Kurti me liderët e subjekteve politike, Lumir Abdixhiku ka thënë që nëse nuk ndërron qasje VV, ka me u bë keq, shumë keq. Pa treguar se çka konkretisht. Ndërkohë nëpër studio televizive bëhet thirrje për dhunë. Pra, kërcënimi i sotëm nuk mund të jetë krejt i rastësishëm”./lajmi.net/