ME: Kërkesa e Presidentes për kristalin erdhi vetëm një ditë para udhëtimit, procedurat ligjore nuk mund të përfundonin
Ministria e Ekonomisë e Kosovës ka reaguar ndaj raportimit të publikuar nga Gazeta Nacionale lidhur me pretendimet për refuzimin e kërkesës për dhurimin e një minerali nga Muzeu Shtetëror i Mineraleve dhe Kristaleve “Trepça”. Në reagimin publik, ministria thekson se kërkesa nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës për dhurimin e një kristali është…
Lajme
Ministria e Ekonomisë e Kosovës ka reaguar ndaj raportimit të publikuar nga Gazeta Nacionale lidhur me pretendimet për refuzimin e kërkesës për dhurimin e një minerali nga Muzeu Shtetëror i Mineraleve dhe Kristaleve “Trepça”.
Në reagimin publik, ministria thekson se kërkesa nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës për dhurimin e një kristali është pranuar më 16 shkurt 2026, vetëm një ditë para udhëtimit zyrtar të presidentes së Kosovës.
Sipas ministrisë, zyrtarët përgjegjës e kanë trajtuar kërkesën me urgjencë, por për shkak të procedurave ligjore dhe administrative, koha ka qenë e pamjaftueshme për ta përmbushur atë.
“Bazuar në legjislacionin në fuqi, mineralet dhe kristalet mund të dhurohen ose të shkëmbehen me institucionet homologe të shteteve të tjera vetëm kur kjo i shërben interesave kombëtare dhe kur vlerat e tyre janë të barasvlefshme”, thuhet në reagim.
Ministria sqaron se mineralet që mund të dhurohen ose të shkëmbehen përcaktohen nga një komision profesional, i themeluar me vendim të drejtorit ekzekutiv të Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, ndërsa procesi përfundon vetëm pas rekomandimit të këtij komisioni dhe marrjes së vendimit përfundimtar.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, përmbyllja e këtij procesi brenda afatit të kërkuar ka qenë e pamundur për shkak të kohës shumë të shkurtër.
Ministria gjithashtu thekson se pretendimet që e lidhin këtë çështje me zhvillime politike apo marrëdhënie ndërmjet institucioneve janë interpretime të njëanshme mediale dhe nuk reflektojnë faktet, duke shtuar se “Nacionale” nuk ka kërkuar qëndrimin zyrtar të ministrisë para publikimit të lajmit.
Në fund, ministria thekson se mbetet e përkushtuar për trajtimin e çdo kërkese në përputhje me legjislacionin në fuqi, rregullat për menaxhimin e pasurisë publike dhe parimin e transparencës. /Lajmi.net/