Me pranga në këmbë e tek duart të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt sillen në gjykatë

Nën masa të rrepta të sigurisë janë sjellë pranë trupit gjykues të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt. Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot zhvillohet seanca e parë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria javën e kaluar. Të akuzuarit janë parë të prangosur në këmbë e në duar,…

Lajme

27/01/2025 10:53

Nën masa të rrepta të sigurisë janë sjellë pranë trupit gjykues të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot zhvillohet seanca e parë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria javën e kaluar.

Të akuzuarit janë parë të prangosur në këmbë e në duar, e duke u përcjellë nga një numër i madh i zyrtarëve policorë, transmeton lajmi.net.

Tre të akuzuarit në këtë rast janë: Naim Murseli (ish bashkëshorti), Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj.

Deri tani, tre të akuzuarit, Murseli, Kokalla dhe Plava, ndodhen në paraburgim, ndërsa për Dodajn, i cili dyshohet se ka shitur armën dorasit, është vendosur të lirohet pasi Gjykata Supreme ndërpreu masën e paraburgimit ndaj tij.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

Në aktakuzë thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij.

Në aktakuzë thuhet se pas datës 25 qershor 2022, kur është paguar polica e sigurimit jetësor në emër të Liridona Murselit me kompaninë Folksam, në shumën prej 3.000.000 kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, Naimi të pandehurit të tretë (Kushtrim Kokalla), ia ka shpalosur planin e likuidimit të bashkëshortes së tij dhe nga ai ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj./Lajmi.net/