Më në fund reagon Kurti për marrëveshjen: Falënderon Lajçak, Borrell e Escobar, dhe “sidomos ambasadorin Hovenier”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar gati tri orë pas njoftimit se midis Kosovës dhe Serbisë është arritur marrëveshje për dokumentet e hyrje-daljeve. Në postimin e tij në Facebook, Kurti ka thënë se qytetarët e Kosovës me dokumente të identifikimit të Kosovës do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me…

Lajme

27/08/2022 20:37

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar gati tri orë pas njoftimit se midis Kosovës dhe Serbisë është arritur marrëveshje për dokumentet e hyrje-daljeve.

Në postimin e tij në Facebook, Kurti ka thënë se qytetarët e Kosovës me dokumente të identifikimit të Kosovës do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet.

Ai gjithashtu ka falënderuar qytetarët për durimin, dhe ndërmjetësuesit e dialogut, Borrell, Lajçak e Escobar dhe në veçanti ambasadorin amerikan Jeff Hovenier për angazhimin e kontributin.

“Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë.”, ka thënë Kurti.

Ky është postimi i tij i plotë:

Qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.
Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe durimin, posaçërisht në këto katër javët e fundit.
Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë.
Falënderoj ndërmjetësit, zotërinjtë Borrell, Lajçak dhe Escobar, e sidomos ambasadorin amerikan Hovenier për angazhimin dhe kontributin. /Lajmi.net/