“Më mbani për fjale, pas 9 nëntorit e trajtoj këtë rast” – Gjashtë muaj pas, Tahiri mbetet kryetar i degës në Vushtrri, Abdixhiku thotë se i refuzuan dorëheqjen

Në tetor të vitit që lam pas, pak para balotazhit të zgjedhjeve lokale që u mbajtën në nëntor, u bë një koalicion që nuk pritej. Xhafer Tahiri, që ishte kandidat për kryetar i LDK-së bëri koalicion me VV-në, pa miratimin e partisë së tij, LDK-së. Ky koalicion nuk u prit aspak mirë në atë kohë…

Lajme

05/05/2026 23:11

Në tetor të vitit që lam pas, pak para balotazhit të zgjedhjeve lokale që u mbajtën në nëntor, u bë një koalicion që nuk pritej.

Xhafer Tahiri, që ishte kandidat për kryetar i LDK-së bëri koalicion me VV-në, pa miratimin e partisë së tij, LDK-së.

Ky koalicion nuk u prit aspak mirë në atë kohë nga lideri i partisë, Lumir Abdixhiku. Ai biles paralajmëroi edhe masa për Tahirin pasi të përfundojnë zgjedhjet lokale, saktësisht balotazhi.

“Më mbani për fjale, më pritni pas datës 9 nëntor se nuk e lë pa e trajtu këtë rast”, kishte deklaruar Lumir Abdixhiku në një paraqitje televizive kur ishte pyetur për veprimet që do të ndërmerrte ndaj anëtarit të kryesisë Xhafer Tahirit.

Por, këto masa nuk u morën dhe ajo nuk u trajtua.

Ndonëse Xhafer Tahiri dha dorëheqje, kjo dorëheqje nuk iu provua nga strukturat e LDK-së.

“Dënimi” i vetëm që iu dha Tahirit, ishte se ai u largua nga kryesia e partisë.

Në listën me emrat e rinj të kryesisë nuk figuron edhe emri i Xhafer Tahirit, i cili për shumë vite ishte pjesë e kësaj listë.

Por sot, pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, Abdixhiku u pyet nga gazetarët se a është marr ndonjë masë ndaj Tahirit, dhe ai e mohoi këtë.

“Xhafer Tahirit ia kemi refuzuar dorëheqjen dhe do vazhdojë të jetë kryetar i LDK-së në Vushtrri”, tha ai.

Për këtë ka shkruar sot edhe vetë Tahiri.

Ai ka thënë se vazhdimin për të qenë ende kryetar i Degës së LDK-së në Vushtrri, e ka marrë me qëllimin e vetëm, fitoren në zgjedhjet nacionale të 7 qershorit bashkë me Presidenten Vjosa Osmani.

“Dorëheqja ime nuk ka qenë ikje nga përgjegjësia, por reflektim. Ndërsa sot, ky vendim për të vazhduar është përgjigje ndaj një kërkese të qartë politike: unitet, mobilizim dhe rezultat. E djathta e patriotët po bashkohen, sepse ndryshimi është i domosdoshëm e Vushtrria do të jetë pjesë e këtij ndryshimi. Unë besoj në bashkëpunim, në respekt institucional dhe në një qasje që e vendos interesin e përgjithshëm mbi çdo interes personal apo grupor”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka thënë se koha e ndarjeve ka marrë fund dhe ajo e fitores ka ardhur.
Çështja e Xhafer Tahirit ësht ëkthyer sërish në debat publik, pasi kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka bërë koalicion me PDK-në pa vendimin e LDK-së.
Ai ka shkarkuar disa drejtorë nga LDK dhe i ka emëruar nga PDK, ndërkaq LDK ka thënë se nuk kanë marrë vendim për këtë..

“LDK njofton opinionin publik se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje. LDK nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani. LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë; dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse. Çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si e tillë, ajo nuk krijon obligime politike për LDK-në dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj. Palët dhe subjektet e tjera politike e dinë shumë mirë se si ndërtohen marrëveshjet ndërpartiake me LDK-në; përmes strukturave zyrtare, transparencës dhe vendimmarrjes institucionale. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë rrugë nuk përbën marrëveshje me LDK-në. Për çështjet tjera lokale, LDK do të angazhohet pas zgjedhjeve nacionale. Në këtë fazë, LDK dhe anëtarësia e saj janë të angazhuar plotësisht në procesin e ringritjes së përbashkët. Asnjë agjendë tjetër nuk mund ta zbehë këtë përkushtim”, thuhet në reagimin e sotëm të partisë. /Lajmi.net/