Me 21 prill shpallet vendimi për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, tre të akuzuarit refuzojnë të marrin pjesë në seancë
Është përmbyllur shqyrtimi gjyqësor në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, proces në të cilin janë paraqitur prova materiale, dëshmi të shumta dhe fjalë përfundimtare nga palët e përfshira. Gjatë seancave përfundimtare, prokuroria ka kërkuar dënim maksimal për të akuzuarit, duke theksuar se janë administruar të gjitha provat dhe janë dëgjuar dëshmitarët, ndërsa rasti është…
Lajme
Është përmbyllur shqyrtimi gjyqësor në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, proces në të cilin janë paraqitur prova materiale, dëshmi të shumta dhe fjalë përfundimtare nga palët e përfshira.
Gjatë seancave përfundimtare, prokuroria ka kërkuar dënim maksimal për të akuzuarit, duke theksuar se janë administruar të gjitha provat dhe janë dëgjuar dëshmitarët, ndërsa rasti është cilësuar si një krim makabër i kryer në prani të fëmijëve të mitur të viktimës.
Në fjalën e tij, vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, ka kërkuar burgim të përjetshëm për të akuzuarit, duke pretenduar se ekzistojnë prova dhe dëshmi që, sipas tij, e lidhin tërësisht këtë rast me organizimin dhe ekzekutimin e krimit.
Ndërkohë, i akuzuari Naim Murseli ka mohuar përfshirjen në vrasje, duke deklaruar se nuk ka qenë në veturë në momentin e ngjarjes dhe se nuk ka paguar për kryerjen e krimit, duke kërkuar një vendim të drejtë nga gjykata. I akuzuari Granit Plava nuk ka dhënë deklaratë në fjalën përfundimtare.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, është bërë e ditur se shpallja e vendimit do të bëhet më 21 prill, në ora 13:30.
Po ashtu, është konfirmuar se të akuzuarit nuk do të marrin pjesë në shpalljen e vendimit, pasi kanë deklaruar se nuk kanë interes për të qenë të pranishëm./lajmi.net/