Kurti deklaron 16 euro e 41 centë para të gatshme, rritet qiraja dhe bien kursimet (DOKUMENT)

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar deklarimin vjetor të pasurisë së kryeministrit Albin Kurti, ku vërehen disa ndryshime në kursime dhe shpenzime krahasuar me vitin e kaluar. Sipas të dhënave, Kurti ka deklaruar 16 euro e 41 centë para të gatshme në emrin e tij. Ndërkohë, në emër të bashkëshortes janë raportuar 19 mijë…

Lajme

17/04/2026 13:38

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar deklarimin vjetor të pasurisë së kryeministrit Albin Kurti, ku vërehen disa ndryshime në kursime dhe shpenzime krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas të dhënave, Kurti ka deklaruar 16 euro e 41 centë para të gatshme në emrin e tij. Ndërkohë, në emër të bashkëshortes janë raportuar 19 mijë e 500 euro, të cilat burojnë nga paga dhe trashëgimia familjare. Po ashtu, janë deklaruar edhe 2 mijë euro kursime të vajzës, si dhe 50 euro të tjera nga familjarët, transmeton lajmi.net.

Në krahasim me vitin e kaluar, kur ai kishte deklaruar rreth 1800 euro kursime, këtë vit shihet një rënie e tyre.

Një ndryshim është evidentuar edhe te qiraja e banesës, e cila është rritur në 350 euro në muaj, nga 250 euro sa ishte më parë.

Sa i përket pasurive të paluajtshme, nuk ka pasur ndryshime, ndërsa është deklaruar banesa në emër të bashkëshortes me vlerë 530 mijë euro.

Në pjesën e detyrimeve, figuron një kredi në emër të bashkëshortes me vlerë të mbetur prej 160 mijë eurosh.

Ndërkohë, të hyrat vjetore të Kurtit nga paga si kryeministër janë deklaruar 21 mijë e 315 euro, ndërsa bashkëshortja e tij ka të ardhura prej 51 mijë eurosh./lajmi.net/