Mbyllja e Memorialit, ofendim për dëshmorët dhe shtetin
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kërkuar nga institucionet kompetente që të bëjnë rihapjen e Memorialit të UÇK-së në Morinë. Ajo ka thënë se mbyllja e këtij memoriali është ofendim për dëshmorët dhe për shtetin e Kosovës.
Lajme
Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, Musliu ka thënë se mbyllja e saj është bërë nga vet sponzorizuesi i këtij projekti, Benito Maresz.
Musliu ka kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale që të merret urgjentisht me këtë çështje.
“Më datën 11 tetor të vitit 2011 këtu në Kuvend pata ngritur shqetësimin rreth mospërkujdesjes institucionale për komplekset memoriale, në theks të veçantë për Memorialin e UÇK-së në Morinë, të Skenderajt, ku janë të skalitur të gjitha emrat e dëshmorëve të UÇK-së”.
“Deputetët kanë marrë një letër nga ideatori dhe sponzoruesi i atij projekti, amerikani Benito Marez në dhjetor të vitit 2011”.
“Faza e parë është financuar nga Benito Marez, ndërsa faza e dytë e punimeve ishte financuar nga Qeveria.”
“Që nga themelimi i Agjencisë për Komplekset Memoriale, ky kompleks me karakter kombëtarë ka mbetur në mëshirën e fatit dhe është shkatërruar tërësisht. Ndërsa tani, para tre-katër ditësh jemi dëshmitar që ky kompleks është mbyllur dhe i është vënë çelësi nga vet donatori”.
“Mbyllja e këtij memoriali është ofendim për të gjithë dëshmorët dhe familjarët e tyre, është ofendim për shtetin tonë. Prandaj kërkoj nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale që urgjentisht të merret me këtë çështje dhe ti hiqet çelësi atij kompleksi që është krenaria e kombit, që është krenaria e Kosovës në përgjithësi”.
Ndërkaq, kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se ligji i nxjerrë nga ky Kuvend i ka dhënë buxhetin Ministrisë së Planifikimit Hapësinor. Andaj ai tha se për memorialet në Kosovë e ka përgjegjësinë Ministria dhe Qeveria.
“Pasi jemi te komplekset, të nderuar deputetë, kur kemi diskutuar për ligjin për buxhetin, unë e kam marrë fjalën dhe ju kam thënë që Ministria e Planifikimit Hapësinorë nuk ja qit Agjencionit buxhetin që i ka takuar me ligj. Prandaj, Agjencioni nuk e ka përgjegjësinë. Përgjegjësia është e Qeverisë dhe e Ministrisë”, tha Jakup Krasniqi .