Mbledhja e tretë e Qeverisë: Miratohen kredi për energji, transport dhe trajtimin e ujërave të zeza

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar dje mbledhjen e saj të tretë për këtë vit në formë elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar një sërë projektligjesh dhe vendimesh që lidhen me financimin e projekteve infrastrukturore, energjetike dhe zhvillimore në vend. Në këtë mbledhje, kabineti qeveritar ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes…

Lajme

05/03/2026 16:36

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar dje mbledhjen e saj të tretë për këtë vit në formë elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar një sërë projektligjesh dhe vendimesh që lidhen me financimin e projekteve infrastrukturore, energjetike dhe zhvillimore në vend.

Në këtë mbledhje, kabineti qeveritar ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “Projektin e Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë”, kredi shtesë ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.

Po ashtu është miratuar edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale”, që synon rritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme.

Qeveria ka dhënë dritën e gjelbër edhe për projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, si dhe për projektin e efiçiencës së energjisë në ndërtesa publike.

Në kuadër të vendimeve të marra, Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Komunës së Zubin-Potokut për aprovimin e buxhetit për vitin 2026, pas miratimit të tij nga Kuvendi Komunal.

Po ashtu, kabineti qeveritar ka vendosur t’i kërkojë Presidentes së Republikës së Kosovës autorizimin për Ministrin e Financave për nënshkrimin e disa marrëveshjeve të tjera të kredisë, përfshirë atë me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”, si dhe për projektin “Zhvillimi i Sektorit Financiar në Kosovë”.

Ndër vendimet e tjera është edhe kërkesa për autorizim për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim për programin e kredisë të bazuar në politika, si dhe nisma për lidhjen e marrëveshjes së kredisë me KfW – Frankfurt am Main për të njëjtin program.

Qeveria gjithashtu ka miratuar nisma për lidhjen e dy marrëveshjeve të grantit për projektin e efiçiencës së energjisë në ndërtesa publike, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, njëra në kuadër të Programit Rajonal për Efiçiencën e Energjisë për Ballkanin Perëndimor dhe tjetra në kuadër të Fondit Danez për Kosovën – Partneriteti për Tranzicion të Gjelbër dhe të Drejtë.

Këto projekte synojnë përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e efiçiencës energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit në vitet e ardhshme. /Lajmi.net/