Mbi një orë nga nisja e takimit Kurti–Abdixhiku, ende pa përfunduar bisedimet në Kuvend
Ka kaluar më shumë se një orë që nga nisja e takimit mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, por ende nuk ka sinjale se bisedimet kanë përfunduar. Takimi po zhvillohet në ambientet e Kuvendit të Kosovës, në prag të seancës konstituive të së enjtes, ku pritet…
Lajme
Ka kaluar më shumë se një orë që nga nisja e takimit mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, por ende nuk ka sinjale se bisedimet kanë përfunduar.
Takimi po zhvillohet në ambientet e Kuvendit të Kosovës, në prag të seancës konstituive të së enjtes, ku pritet të nisin procedurat për konstituimin e legjislaturës së re dhe zgjedhjen e Presidentit, transmeton lajmi.net.
Para hyrjes në takim, Abdixhiku nuk pranoi të komentojë për mediat, duke u shprehur shkurt: “Pas takimit, deklarohemi.” Në takim ai u shoqërua nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, si dhe ish-presidentja Vjosa Osmani.
Ky është rikthimi i Abdixhikut në tryezën e bisedimeve me Kurtin, pasi negociatat ishin ndërprerë në mesin e korrikut. Pas votëbesimit të 30 korrikut, me të cilin ai mbeti në krye të LDK-së, Abdixhiku paralajmëroi se dialogu me kreun e LVV-së do të vazhdonte aty ku kishte mbetur.
Nga ana tjetër, para nisjes së takimit, Kurti deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetjen e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, por theksoi se për zgjedhjen e Presidentit nevojitet edhe bashkëpunimi me opozitën.
“Ne kemi mjaftueshëm mbështetje sa i përket Kuvendit dhe qeverisë, por që të gjithë e dini mirë se për zgjedhjen e Presidentit nuk ka përgjegjësi vetëm mazhoranca, por edhe opozita, sepse kushtetutshmëria është e tillë që Presidentin e sheh si shprehje të unitetit dhe ku opozitë e qeveri duhet të jenë bashkë”, deklaroi Kurti.
Takimi po zhvillohet në një moment të rëndësishëm politik, pasi Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar ftesën për takim me Kurtin, ndërsa edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka pranuar të hyjë në bisedime pa plotësimin e kërkesave të saj.
Deri më tani, as Lëvizja Vetëvendosje dhe as Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë informacion për ecurinë e takimit, i cili vazhdon edhe pas më shumë se një ore./lajmi.net/