SHBA: Huaja prej 302 milionë dollarësh forcon kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë
Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë huanë në vlerë prej 302 milionë dollarësh për Shqipërinë si mbështetje për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035. Ambasada amerikane në Tiranë shpërndau njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit, ku thuhet se huaja në kuadër të programit Për…
Lajme
Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë huanë në vlerë prej 302 milionë dollarësh për Shqipërinë si mbështetje për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
Ambasada amerikane në Tiranë shpërndau njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit, ku thuhet se huaja në kuadër të programit Për Financim të Huaj Ushtarak (FMF) do të ndihmojë në modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke mbështetur blerjen e kapaciteteve kryesore me origjinë amerikane.
Sipas DASH-it, financimi do të forcojë gjithashtu aftësinë e Evropës për të udhëhequr mbrojtjen e saj.
Në njoftim vlerësohet edhe bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve në politikën e jashtme.
“Si aleate e NATO-s, Shqipëria është përafruar ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme, përfshirë edhe si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të presidentit Trump”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.
Shqipëria, por edhe Kosova, janë në mesin e vendeve themeluese të Bordit të Paqes – nismës së presidentit amerikan, Donald Trump, për paqe në botë.
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, ndërkaq, e cilësoi marrëveshjen një moment me rëndësi strategjike dhe një shprehje të besimit të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë.
Kuvendi i Shqipërisë e miratoi marrëveshjen e huasë më 27 korrik. Qeveria shqiptare e cilësoi atë një marrëveshje historike dhe dëshmi të besimit të SHBA-së ndaj Shqipërisë. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, tha se financimi do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, për blerjen e pajisjeve dhe shërbimeve të mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s.
Sipas marrëveshjes, Shqipëria do të ketë 48 muaj për të aktivizuar fondet dhe 12 vjet për shlyerjen e huasë, ndërsa përdorimi i tyre do të monitorohet nga Agjencia Amerikane për Bashkëpunimin në Fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes (DSCA).
Marrëveshja u votua vetëm nga shumica parlamentare. Opozita, ndonëse deklaroi se e mbështeste përmbajtjen e saj, nuk mori pjesë në votim, duke kundërshtuar procedurën e ndjekur.
Pas miratimit, deputetë të Partisë Demokratike, në opozitë, e dërguan procedurën e votimit në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se marrëveshja u miratua me procedurë të përshpejtuar, në kundërshtim me Kushtetutën, pa iu vënë më parë në dispozicion deputetëve teksti për shqyrtim dhe pa u respektuar afati kushtetues njëjavor.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e dekretoi ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huasë më 30 korrik./REL