Mbi 900 policë për ndeshjen Atletico-Chelsea

23:40 | 21 Prill 2014

Policia spanjolle në gatishmëri

Më shumë se 900 policë, prej tyre 350 agjentë të policisë nacionale. Ky është numri i personave që do ta mbajnë sigurinë para, gjatë dhe pas ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndërmjet Atletico Madridit dhe Chelseat.

Më shumë se 900 policë dhe pjesëtarë të sigurimit do të punojnë pandërprerë të martën, në mënyrë që ta mbajnë sigurinë për ndeshjen ndërmjet Atletico Madridit dhe Chelseat, e vlefshme për gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.

Lajmin e ka bërë të ditur një zëdhënës i Qeverisë në Madrid për Europa Press. Nga 900 policët e lartpërmendur, 350 do të jenë agjentë të policsë nacionale.

Qëllim kryesor do të jetë që të kontrollohet gjendja në qytet gjatë ditës, për ta evituar përballjen eventuale të të dyja tifozërive dhe në stadium, ku po ashtu do të jenë të pranishëm tifozët anglezë dhe ata spanjollë.

Ndeshja ndërmjet Atleticos dhe Chelseat do të zhvillohet në stadiumin Vicente Calderon, duke filluar nga ora 20:45, të martën mbrëma.