Mbi 200 mijë euro i shpenzoi Krasniqi me kabinet në dreka e udhëtime zyrtare – mbi 44 mijë euro derivate brenda katër viteve
Buxheti i shtetit të Kosovës, është rritur nga viti në vit, dhe për vitin 2025, në Kuvendin e Kosovës është miratuar buxheti prej 3.6 milionë euro. Kjo shumë, është ndarë për subvencione dhe transfere, investime kapitale, paga dhe shtesa, mallra dhe shërbime, shpenzime komunale. 501 milionë euro, këtë vit nga buxheti i Kosovës janë ndara…

Lajme
Buxheti i shtetit të Kosovës, është rritur nga viti në vit, dhe për vitin 2025, në Kuvendin e Kosovës është miratuar buxheti prej 3.6 milionë euro.
Kjo shumë, është ndarë për subvencione dhe transfere, investime kapitale, paga dhe shtesa, mallra dhe shërbime, shpenzime komunale.
501 milionë euro, këtë vit nga buxheti i Kosovës janë ndara tek “mallra dhe shërbime”, të cilat janë të specifikuara për pagesat e zyrtarëve qeveritarë, ministrave, dhe të tjerëve.
Nga kjo pjesë e buxhetit, kompensohen edhe drekat e darkat zyrtare, mëditjet dhe shpenzimet për udhëtime zyrtare si dhe shpenzimet për derivate të ministrive, shkruan lajmi.net.
Por, sa ka shpenzuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për udhëtime dhe dreka zyrtare nga viti 2021-2025?
Lajmi.net ka kërkuar qasje në dokumente publike dhe ka pranuar nga kjo Ministri të dhënat e sakta që kanë shpenzuar.
Kabineti i ministrit në detyrë Elbert Krasniqi i cili udhëheq MAPL-në që nga viti 2021, në udhëtime zyrtare që nga viti 2021-2025 ka shpenzuar plot 100 mijë e 873 euro, ndërkaq shpenzimet më të mëdha i ka bërë në vitin 2023, ku ka shpenzuar 37 mijë e 49 euro. Për 7 muajt e parë të 2025-tës, kabineti i ministrit ka shpenzuar 4 mijë e 107 euro.
Përveç ministrit dhe kabinetit të tij, për udhëtime zyrtare kanë shpenzuar 73 mijë e 552 euro stafi administrativ, ndërsa gjithashtu nga ta, shpenzimet më të larta për udhëtime zyrtare kanë qenë në vitin 2024, të cilat kapin shifrën e 21 mijë eurove, të gjitha këto para të buxhetit të shtetit.
Përveç se në udhëtime zyrtare, shifra të majme kabineti i ministrit Krasniqi ka shpenzuar edhe për dreka zyrtare. Për 4 vite sa udhëheqin me këtë Ministri, Krasniqi me bashkëpunëtorët e tij në kabinet, kanë “ngrënë” plot 61 mijë e 301 euro, ndërkaq më së shumti për dreka zyrtare kabineti i ministrit Krasniqi ka shpenzuar në vitin 2023, plot 17 mijë e 509 euro.
Pjesë e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, janë edhe stafi administrativ të cilët po ashtu gjatë katër viteve pjesë e kësaj Ministrie, kanë shpenzuar plot 34 mijë e 170 euro për dreka zyrtare, ndërsa shpenzimet më të mëdha të tyre në dreka zyrtare, janë regjistruar në vitin 2024, ku janë plot 8 mijë e 299 euro, shkruan lajmi.net.
Nga Qeveria në veri, e nga veriu në Kuvend e komuna të ndryshme të Kosovës, me veturë zyrtare të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi për katër vite në qeverisje, ka shpenzuar plot 44 mijë e 618 euro për derivate, ndërkaq bazuar në të dhënat që kemi marrë nga MAPL, më së shumti, Krasniqi ka shpenzuar në vitin 2023, ku janë shpenzuar vetëm për derivate plot 12 mijë e 586 euro.
Përveç tij, jashtë nga Ministria me vetura zyrtare kanë dal edhe zëvendësministrat, anëtarët e tjerë të kabinetit, dhe zyrtarët administrativ. E për këto udhëtime të tyre, nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar plot 52 mijë e 415 euro për 4 vite, ndërkaq shpenzimet më të madhe të tyre në derivate janë regjistruar në vitin 2022, saktësisht 15 mijë e 679 euro.
Shpenzimet e ministrave të Qeverisë Kurti, në dreka zyrtare e udhëtime zyrtare si dhe për derivate, kanë qenë të larta, ndërsa lajmi.net në vazhdimësi do të raportoj për shpenzimet e të gjithë Ministrive një nga një. /Lajmi.net/