Mbi 2 milionë euro pasuri: Drejtori i Oftalmologjisë në QKUK me shumë prona, mbi 700 mijë euro në banka dhe 470 mijë euro fitime nga biznesi privat
Drejtori mjekësor i Klinikës së Oftalmologjisë në Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Ardian Shabani, ka deklaruar pasurinë e tij pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, e cila përfshin një numër të madh pronash të paluajtshme, aksione në biznes privat, kursime të konsiderueshme bankare dhe të ardhura të larta vjetore nga disa burime. Në total, vetëm…
Lajme
Drejtori mjekësor i Klinikës së Oftalmologjisë në Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Ardian Shabani, ka deklaruar pasurinë e tij pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, e cila përfshin një numër të madh pronash të paluajtshme, aksione në biznes privat, kursime të konsiderueshme bankare dhe të ardhura të larta vjetore nga disa burime.
Në total, vetëm nga pasuritë e deklaruara me vlerë konkrete, Shabani rezulton të ketë mbi 1 milion e 51 mijë euro pasuri të paluajtshme, ku përfshihen lokale afariste, banesa, tokë dhe parcela të ndryshme. Ndër më të vlefshmet janë një tokë me vlerë 145 mijë euro, një lokal me 134 mijë e 332 euro, një tjetër lokal me 95 mijë euro, si dhe një banesë prej 74 mijë e 208 euro.
Në deklarim përfshihen gjithashtu edhe disa prona të trashëguara dhe të regjistruara në emër të prindërve, me vlera simbolike prej 0.10 euro, si dhe prona të tjera që arrijnë vlera të konsiderueshme, përfshirë një shtëpi me vlerë 140 mijë euro dhe disa parcela toke që kapin dhjetëra mijëra euro, shkruan lajmi.net.

Sa i përket pasurisë së luajtshme, ai ka deklaruar tri vetura, përfshirë një veturë të tipit Mercedes-Benz me vlerë 98 mijë euro, si dhe dy automjete të tjera në pronësi të prindërve me vlera 60 mijë euro dhe 12 mijë euro.

Një pjesë e rëndësishme e pasurisë së tij lidhet me biznesin privat. Shabani është pronar 100% i kompanisë Ambulanca Specialistike e Syve “Okulistika” në Gjilan, vlera e së cilës është deklaruar 500 mijë euro.

Në llogaritë bankare, ai ka deklaruar mjete të konsiderueshme financiare, që në total kapin mbi 749 mijë euro, të shpërndara në disa banka, ku vetëm në një llogari figurojnë mbi 440 mijë euro, ndërsa në një tjetër mbi 269 mijë euro.

Ndërkohë, ai ka edhe detyrime financiare aktive, përfshirë një kredi prej 90 mijë euro për blerje lokali, nga e cila kanë mbetur për t’u paguar mbi 56 mijë euro, si dhe një obligim tjetër financiar për pajisje mjekësore (laser) me vlerë totale 320 mijë euro, ku aktualisht kanë mbetur rreth 49 mijë euro.

Sa i përket të ardhurave vjetore, ato dominohen nga aktiviteti në sektorin privat. Ai ka deklaruar 470 mijë euro divident nga kompania “Okulistika”, 155 mijë euro nga shitja e pronës, si dhe 48 mijë euro pagë nga po i njëjti biznes. Nga sektori publik, ai përfiton rreth 18 mijë e 780 euro pagë vjetore.
Edhe anëtarët e familjes kontribuojnë në të hyrat familjare, ku bashkëshortja ka deklaruar mbi 70 mijë euro pagë, si dhe të ardhura shtesë nga qiraja dhe angazhime të tjera, ndërsa prindërit përfitojnë pensione dhe paga nga biznesi familjar.

Në deklarim nuk figurojnë kriptovaluta, letra me vlerë apo donacione politike.
Në total, duke përfshirë pasuritë e paluajtshme, aksionet në biznes dhe mjetet në llogaritë bankare, pasuria e deklaruar e Ardian Shabani kap vlerën mbi 2 milionë euro, pa përfshirë parcelat e shumta të deklaruara me vlerë simbolike prej 0.10 euro. Një pjesë e konsiderueshme e pronave figuron në emër të prindërve, përfshirë toka dhe parcela të trashëguara ndër vite.
Po ashtu, në deklarim bie në sy fuqia e aktivitetit privat, ku përmes kompanisë Ambulanca Specialistike e Syve Okulistika ai ka realizuar të ardhura të larta, përfshirë 470 mijë euro divident brenda një viti, duke e bërë këtë një nga burimet kryesore të pasurisë së tij. Përveç kësaj, investimet në pajisje mjekësore, si blerja e një laseri me vlerë totale prej 320 mijë euro, tregojnë për zgjerim të vazhdueshëm të aktivitetit në sektorin privat.
Këto të dhëna e vendosin atë në mesin e zyrtarëve me pasuri dhe qarkullim financiar të lartë, ku krahas pagës nga sektori publik, dominon dukshëm fitimi nga biznesi privat dhe investimet shumëvjeçare. /Lajmi.net/