Gërvalla: Kosova do t’i çojë përpara reformat në drejtësi
Sundimi i ligjit, garanci e forcimit të shtetit ligjor dhe e barazisë para ligjit. Kështu ka thënë zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla pas takimi që ka zhvilluar me kryesuesin e Komisionit për Çështje Juridike në Parlamentin Evropian, Ilhan Kyuchyuk. Ajo ka thënë se në këtë takim folën për zhvillimet në fushën e drejtësisë…
Lajme
Sundimi i ligjit, garanci e forcimit të shtetit ligjor dhe e barazisë para ligjit. Kështu ka thënë zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla pas takimi që ka zhvilluar me kryesuesin e Komisionit për Çështje Juridike në Parlamentin Evropian, Ilhan Kyuchyuk.
Ajo ka thënë se në këtë takim folën për zhvillimet në fushën e drejtësisë dhe sfidat që lidhen me forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Theksi u vu në çështjet që prekin integritetin dhe funksionalitetin e sistemit, përfshirë procesin e Vetingut, funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe paketën e pesë projektligjeve që synojnë konsolidimin e kornizës ligjore dhe institucionale”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Tutje ajo ka thënë se reformat në drejtësi nuk janë opsion, por parakusht për shtet funksional.
“Kosova do t’i çojë përpara me vendosmëri, përmes një sistemi që garanton drejtësi reale, lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar në mënyrë efektive, dhe e bën të pakthyeshme rrugën tonë evropiane”, ka shkruar tutje Gërvalla.