Mbi 13 mijë gjoba trafiku vetëm për 10 ditë

Policia e Kosovës ka ndërmarr një aksion për vetëdijesimin e qytetarëve për respektimin e rregullave në komunikacion. Gjatë këtij aksioni, për vetëm 10 ditë janë shqiptuar mbi 13 mijë tiketa. Kjo sipas policisë ka ndikuar në rënien e numrit të aksidenteve me pasoja fatale. 

Lajme

11/05/2014 20:58

Mbi 13 mijë tiketa trafiku të shqiptuara nga Policia e Kosovës në 10 ditë është bilanci në javën e zbatimit të planit “Java e sigurisë në trafik”, raporton RTK. 

Gjatë kësaj jave nga numri i përgjithshëm i tiketave të shqiptuara nga policia, rreth 3400 janë për tejkalim të shpejtësisë, 995 sosh për mos vendosje të rripit të sigurisë, për parkim të parregullt janë shqiptuar 889 tiketa, për mosrespektim të shenjave të trafikut 732 tiketa, si dhe për gabimet e këmbësoreve 442 tiketa. 

Zyrtarë të policisë së Kosovës kanë thënë se me këtë aksion synohet ngritja e vetëdijes së qytetarëve që të ketë nivel më të lartë të sigurisë në trafik. “Mund të them se ky muaj që e kemi lënë pas, krahasuar me muajin paraprak ka shënuar një rënie të aksidenteve, kryesisht me pasoja fatale. Në periudhën janar – mars 2014, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka pasur ngritje të numrit të aksidenteve me pasoja fatale prej 58.8%. Ndërsa pas angazhimeve të pjesëtarëve të policisë, ka rënë ky numër i aksidenteve për rreth 37%. Kjo tregon se policia e Kosovës me prezencën e saj ka ndihmuar në parandalimin e këtyre aksidenteve”, ka thënë zëdhënësi i policisë Baki Kelani. 

Edhe ngasësit e automjeteve deklarohen se e mirëpresin këtë aksion të policisë, por kërkojnë që kjo të mos ndodhë vetëm gjatë një jave, por gjatë gjithë vitit, pavarësisht se edhe ata vetë kanë tiketa të cilat u janë shqiptuar nga policia për mos respektim të rregullave të trafikut.