Masa disiplinore ndaj policit që ushtroi dhunë ndaj refugjatëve (Video)

18:18 | 12 Shtator 2015

Polici maqedon që ushtojë dhunë ndaj refugjatëve, në komionon disiplinor

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, ka ngritur procedurë disiplinore ndaj policit që ka ushtruar dhunë ndaj refugjatëve në kufirin me Greqinë. Lajmi u konfirmua për ALSAT nga zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski.

Pamjet ku polici godiste refugjatët pa dallim nëse ishin gra apo fëmijë, u publikuan nga mediat e huaja me mbishkrimet e tipit “brutaliteti policor ndaj refugjatëve në Maqedoni”, duke shkaktuar një sere reagimesh në rrjetet sociale.

Ndërkaq, sipas MPB-së, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, kufirin e Maqedonisë e kanë kaluar rreth 3 000 refugjatë, kryesisht nga Siria.

Deri tani kërkesë për azil në Maqedoni kanë kërkuar vetëm 49 persona. Nga qershori, Maqedoninë, e kanë transituar mbi 72 000 refugjatë.

Sot aktivistë të shumtë në Shkup shënuan “Ditën Evropiane të refugjatëve” në shenjë mbështetje dhe solidarizim me refugjatët. Ata iu bënë thirrje autoriteteve që të lehtësojnë procedurat për refugjatët, të cilët thjesht kalojnë transit në Maqedoni. Po ashtu, aktivistët dënuan edhe paralajmërimet e ministrit të jashtëm Popovski, për ngritjen e një gardhi kufitar. Aktivistët paralajmëruan se pas këtij manifestimi do të kthehen sërish në Gjevgjeli për të ndihmuar refugjatëve që kalojnë nëpër Maqedoni.