Maratona sot bllokon disa rrugë në Prishtinë e Fushë-Kosovë
Policia e Kosovës bën të ditur se, sot do të ketë bllokime të qarkullimit të automjeteve në disa rrugë në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, si rrjedhojë e organizimit të maratonës ndërkombëtare “Prishtina 2026”. Policia tha se të dielën prej orës 09:00 deri në përfundim të maratonës do të ndërpritet qarkullimi për vetura në rrugën Prishtinë-Fushë-Kosovë, në…
Lajme
Policia e Kosovës bën të ditur se, sot do të ketë bllokime të qarkullimit të automjeteve në disa rrugë në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, si rrjedhojë e organizimit të maratonës ndërkombëtare “Prishtina 2026”.
Policia tha se të dielën prej orës 09:00 deri në përfundim të maratonës do të ndërpritet qarkullimi për vetura në rrugën Prishtinë-Fushë-Kosovë, në drejtim të Pejës dhe anasjelltas, deri te kyçja në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Sipas policisë, kufizime do të ketë edhe në segmente të tjera rrugore, përfshirë një pjesë të autostradës.
Për të shmangur vështirësitë në komunikacion, Policia ka përcaktuar disa rrugë alternative.
Ngasësit nga Peja drejt Prishtinës udhëzohen të kalojnë përmes Sllatinës, Magurës dhe Lipjanit, ndërsa ata nga Peja e Fushë-Kosova mund të shfrytëzojnë rrugën përmes Sllatinës, Bardhit të Vogël dhe Kuzminit.
Ndërkaq, për udhëtimet nga Prishtina ose Veterniku drejt Pejës dhe Aeroportit rekomandohet itinerari Prishtinë-Lipjan-Rufc i Ri-Poturoc-Magurë-Aeroport.
Për ngasësit nga Mitrovica drejt Pejës ose Aeroportit, Policia rekomandon shfrytëzimin e autostradës nga Mazgiti në drejtim të Shkupit, e më pas rrugën përmes Lipjanit, Rufcit të Ri, Poturocit dhe Magurës.