​Maqedonci: Nuk duhet të eksperimentohet me kandidatin për president

Është e domosdoshme që zgjedhja e presidentit të ri të jetë rezultat i një konsensusi të gjerë politik, thotë ministri i Mbrojtjes, njëherësh zyrtar i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Ejup Maqedonci. Pesë ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e të parit të vendit, ai thekson se kryeministri Albin Kurti po bën çmos që të…

Lajme

28/02/2026 12:23

Është e domosdoshme që zgjedhja e presidentit të ri të jetë rezultat i një konsensusi të gjerë politik, thotë ministri i Mbrojtjes, njëherësh zyrtar i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Ejup Maqedonci.

Pesë ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e të parit të vendit, ai thekson se kryeministri Albin Kurti po bën çmos që të zgjidhet presidenti dhe të shmangen zgjedhjet e reja. Mirëpo, Maqedonci nuk tregon nëse e mbështesin Vjosa Osmanin për një mandat të dytë, pas refuzimit nga Familja Jashari që të marrin këtë post.

Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill. Sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars. Në të kundërtën, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Unë vlerësoj që pikë së pari është jashtëzakonisht e nevojshme që të arrihet kjo, për arsyen që vendi ynë ka humbur një kohë mjaftueshëm të gjatë, mund të themi, pa institucione të vendosura, pa institucione stabile. Normalisht që Lëvizja Vetëvendosje është e interesuar që të gjejë formën për gjetjen e kompromisit dhe konsensusit me të gjitha partitë politike, në mënyrë që të kemi presidentin e ardhshëm të Kosovës. Dhe vlerësoj që tashmë kryeministri Kurti ka bërë shumë herë të qartë që kjo është në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje e ka theksuar shumë herë që është e hapur për diskutime me të gjitha partitë politike, në mënyrë që të gjendet, mund të themi, konsensusi i mjaftueshëm në mes të akterëve politikë për zgjedhjen e presidentit”, thotë ai.

Maqedonci në një intervistë për KosovaPress thotë se është e rëndësishme të mos eksperimentohet në çështjen e zgjedhjes së presidentit, por të ketë një konsensus politik.

“Unë vlerësoj që kjo është çështje që do të zgjidhet dhe duhet të zgjidhet mes udhëheqësve të partive politike. Mendoj që çdonjëri që ka mjaftueshëm mbështetje për të kaluar, mund të themi, votimin për president ose presidente të Republikës së Kosovës, do të jetë i mirëseardhur edhe për Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe për të gjitha partitë e tjera. Pra, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mos eksperimentohet në këtë çështjen e zgjedhjes së presidentit, por të kemi një konsensus”, deklaron Maqedonci.