Mandati i dytë i Trumpit nuk do të duket aspak si i pari
Pas fitores së tij, Partia Republikane tani është plotësisht nën kontrollin e Donald Trumpit, duke e bërë atë lider të pa kontestuar të partisë. Me një sërë kritikash ndaj sistemit, ai do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë me eksperiencën e mandatit të mëparshëm dhe një ndjenjë të thellë zhgënjimi për mënyrën se si e…
Bota
Pas fitores së tij, Partia Republikane tani është plotësisht nën kontrollin e Donald Trumpit, duke e bërë atë lider të pa kontestuar të partisë.
Me një sërë kritikash ndaj sistemit, ai do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë me eksperiencën e mandatit të mëparshëm dhe një ndjenjë të thellë zhgënjimi për mënyrën se si e konsideron ai se e ka dështuar ky sistem.
“Amerika na ka dhënë një mandat të pa precedent dhe të fuqishëm”, ka thënë Trumpi për mbështetësit e tij.
Ai ka përmbledhur afërsisht vizionin e tij për një mandat të dytë: “Do të qeveris me një motto të thjeshtë: Premtime të bëra, premtime të mbajtura.”
Ja se si gjërat mund të duken ndryshe në një presidencë të dytë të Trumpit:
- Personeli dhe Ndihmësit
Figura që dikur kanë pasur rol stabilizues për Trumpin tani janë larguar nga administrata e tij, duke i hapur rrugën një grupi këshilltarësh dhe funksionarësh të cilët janë të interesuar të punojnë vetëm për realizimin e vizionit të tij dhe pa u shqetësuar për kontrollin mbi të.
- Vonesa në procesin e tranzicionit
Trumpi ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje etike që do të mundësonin një kalim të qetë të pushtetit me administratën Biden.
Kjo vonesë vjen nga mosbesimi i thellë që Trumpi ka ndaj agjencive federale, përfshirë ato që nuk drejtohen nga mbështetës të tij.
Kjo ka bllokuar ekipin e tij nga marrja e informacionit të nevojshëm për sigurinë kombëtare dhe fondet që mund të ndihmonin në përgatitjen e kalimit të pushtetit.
- Kongresi
Republikanët që kritikuan Trumpin tani janë larguar ose janë mënjanuar.
Ai ka bërë të qartë që do të jetë i gatshëm të kalojë mbi Kongresin për të emëruar kabinetin e tij, duke shmangur procesin tradicional të miratimit të kandidatëve nga Senati.
Trump gjithashtu ka kërkuar nga disa emra që të pranojnë pozita si sekretarë të përkohshëm, duke e parë këtë si një mundësi që t’i ofrojë më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mendje në të ardhmen.
- Gjykata dhe sistemi ligjor
Gjyqësori federal, përfshirë Gjykatën e Lartë, është transformuar që kur Trumpi ishte në detyrë.
Gjyqtarët e rinj konservatorë mund të mbështesin veprime që mund të ishin kundërshtuar në vitin 2017.
Po ashtu, ai ka fituar më shumë mundësi për të vepruar pa u ndaluar nga ligji, pasi Gjykata e Lartë ka vendosur që presidentët kanë imunitet gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.
Fitorja e tij mund të çojë në një mundësi të shkëlqyer për të shmangur ndjekjet ligjore që mund t’i kenë mbetur, shkruan CNN.