Maliqi: Protesta ka ndikim, sponsorët e Speciales duhet ta kuptojnë nivelin e pakënaqësisë

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka bërë thirrje që pakënaqësia ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale të shprehet publikisht dhe fuqishëm. Në një reagim, Maliqi ka kundërshtuar pretendimet se protestat nuk kanë ndikim ose se mund të prodhojnë efekte negative. “Mos i dëgjoni ata që ju thonë se protesta nuk ka ndikim, apo se ka…

Lajme

22/09/2026 19:05

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka bërë thirrje që pakënaqësia ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale të shprehet publikisht dhe fuqishëm.

Në një reagim, Maliqi ka kundërshtuar pretendimet se protestat nuk kanë ndikim ose se mund të prodhojnë efekte negative.

“Mos i dëgjoni ata që ju thonë se protesta nuk ka ndikim, apo se ka ndikim negativ”, ka shkruar Maliqi.

Sipas tij, nëse qytetarët vlerësojnë se verdikti nuk ka prodhuar drejtësi, kjo pakënaqësi duhet të dëgjohet, veçanërisht nga shoqëria civile.

“Është jetike që zyrtarët e shteteve sponsore të gjykatës ta kuptojnë nivelin e pakënaqësisë dhe efektin që e ka prodhuar gjykata”, ka shkruar ai.

Maliqi ka theksuar se kërkesa ndaj shteteve sponsore nuk duhet të jetë ndërhyrja në drejtësi, por forcimi i besimit në proces.

Sipas tij, Gjykatës Speciale duhet t’i kërkohet llogari për standardet dhe të sigurohet mbikëqyrje institucionale.

“Që faza e apelit të mos jetë thjesht noterizim i shkallës së parë”, ka shkruar Maliqi.

Ai ka kritikuar edhe Qeverinë, duke thënë se ajo duhet t’i printe një kërkese të tillë.