Mal i Zi: Një ushtar vdiq e tjetri u plagos, ishin në luftë me zjarret
Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e djeshme në Malin e Zi. Atje vdiq një ushtar dhe një tjetër u lëndua derisa ishin në luftë duke u përpjekur për ta fikur zjarrin. Ngjarja ndodhi kur një autocisternë e përdorur për shuarjen e flakëve u përmbys. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes së…

Lajme
Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e djeshme në Malin e Zi.
Atje vdiq një ushtar dhe një tjetër u lëndua derisa ishin në luftë duke u përpjekur për ta fikur zjarrin.
Ngjarja ndodhi kur një autocisternë e përdorur për shuarjen e flakëve u përmbys.
Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes së këtij vendi, shkruajnë mediat malazeze.
Lidhur me këtë incident, hetimet tashmë kanë nisur.
Përpjekjet për shuarjen e zjarreve në rajonin e Kuçës dhe zonat përreth Podgoricës, si dhe mes Budvës dhe Tivarit, po vazhdojnë për ditën e dytë me radhë.
Në këto zona, përveç dëmeve nga flakët, është shënuar edhe djegia e një shtëpie dhe e disa pronave të tjera. Për shkak të rrezikut, disa banorë janë evakuuar.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Miodrag Beshoviq, deklaroi:
“Situata është pak më e qëndrueshme, por nuk mund të parashikojmë zhvillimet e mëtejshme. Me përkushtimin e ekipeve tona dhe mbështetjen nga partnerët, presim të marrim kontrollin mbi zjarret.”
Për shkak të tymit dhe ajrit të ndotur, Instituti i Shëndetit Publik ka këshilluar qytetarët të shmangin qëndrimin jashtë dhe të tregojnë kujdes maksimal.
Në Mal të Zi është shpallur “Alarm i Kuq”, ndërsa era e fortë po e vështirëson më tej luftën kundër zjarreve.