Mahrez shpërdoron mundësinë për të ‘siguruar’ titullin – City gabon ndaj West Ham dhe lë gjithçka të hapur për titullin

Manchester City ka lëshuar pikët më të rëndësishme këtë sezon në Premier League, duke luajtur baras ndaj West Ham.

Sport

15/05/2022 16:56

Skuadra e Pep Guardiola nuk arriti më shumë sesa një barazim 2:2 në një ndeshje ku mund të shkonte ndryshe nëse Riyad Mahrez do të ishte më i saktë nga pika e bardhë.

Liderët e Premier League e gjeten veten në disavantazh në minutën e 24’, kur Bowen shënoi për 1:0.

I njëjti lojtar shënoi edhe një herë në fundin e pjesës së parë, për të çuar shifrat në 2:0 dhe për t’i hapur telashe të mëdha ‘Citizens’.

Megjithatë, mysafirët nuk ishin dorëzuar. Lufta për titull ishte aty. Ata reaguan në minutën e 49’ me anë të Jack Grealish, i cili ngushtoi epërsinë në 2:1.

20 minuta më vonë, Manchester City shënoi për 2:2 me autogolin e Coufal.

City shtoi presionin edhe më shumë dhe kërkoi golin e fitores. Në minutën e 85’, Gabriel Jesus fitoi një penallti por atë mundësi të artë e humbi Riyad Mahrez, i cili gaboi. Më saktë, Fabianski priti penalltinë e tij.

Manchester City shkon tashmë në 90 pikë, katër më shumë sesa Liverpool. Liverpool ka një ndeshje për të luajtur dhe nëse e fitojnë atë ndeshje, gjithçka do të vendoset në xhiron e fundit. West Ham shkon në 56 pikë.

Manchester City xhiron e fundit e luan në ‘Etihad’ kundër Aston Villa. /Lajmi.net/