Maestro në Parajsën e Kinemasë

Mimmo Pintacuda, operatori i kinemasë së vogël lokale, i cili ishte modeli inspirues për dramën italiane Cinema Paradiso, ka vdekur në moshën 86 vjeçare, në shtëpinë e tij në Aspra, një fshat i vogël afër Palermos në Sicili.

ShowBiz

23/12/2013 21:00

Jeta e pasur kulturore e Mimmo Pintacuda u bë model për personazhin ikonik Alfredo, në filmin antologjik Cinema Paradiso, të regjisorit italian Giuseppe Tornatore, realizuar në vitin 1988, që fitoi Çmimin Oscar për Filmin më të Mirë të Huaj.

Konsiderohet ndër filmat më të mirë të kinematografisë bashkëkohore botërore.

Pintacuda e mësoi çunin Tornatore si ta përdorte projektorin filmik, njëjtë siç në film Alfredo ia mësoi Salvatores (Totos) të gjitha fshehtësitë e filmit dhe kinemasë.

Për shumë vite punoi si operator në kinemanë Cinema Vittorio, në Bagheria, qytetin e lindjes së regjisorit.

Në shtëpi e mbante një album me fotografi të Tornatores kur ai ishte fëmijë.

Mimmo Pintacuda

Ishte fotograf i mirënjohur, kishte botuar disa libra për fotografinë, dhe njihej për interesimin e posaçëm mbi jetën e emigrantëve italianë në Amerikë.

Koleksioni i tij i plotë prej 13.000 fotografive ruhet në arkivin e Fratelli Alinari, kompanisë më të vjetër fotografike në botë, që ndodhet në Firence.

“Kur njerëzit më pyesin nëse unë jam Alfredo i vërtetë, u them: ‘Po. Unë jam’”.

“Tornatore më kujtohet shumë mirë si fëmijë. Ishte kurioz dhe proaktiv, identik si Toto”.

“Dëshironte t’i mësonte të gjitha gjërat e mundshme për fotografinë dhe kinemanë”.

“Isha i lumtur t’ia mësoja ato që i dija. Njëherë ia dhurova një kamerë”.

Ceremonia mortore u mbajt në kishën kryesore në Bagheria.

Njëjtë si në filmin Cinema Paradiso, Tornatore u kthye në Sicili për t’ia dhënë lamtumirën e fundit mësuesit dhe mikut të tij.

Kështu, jeta reale u bazua në ngjarjen e zhvilluar në film.

 A.M.

 

Traileri i Cinema Paradiso dhe momenti i fitimit të Çmimin Oscar.