Kompania e ish-zyrtarit të LDK-së fiton tenderin milionësh nga Komuna e Prishtinës për rregullimin e njërës pjesë të rrugës “Holger Pedersen”
Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 1,039,219.86 eurosh për ndërtimin e pjesës së parë të rrugës “Holger Pedersen”, duke ia besuar punimet një grupi operatorësh ekonomikë ku bën pjesë edhe një kompani e themeluar nga një ish-zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), parti që udhëheq kryeqytetin. Sipas njoftimit zyrtar për nënshkrimin…
Lajme
Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 1,039,219.86 eurosh për ndërtimin e pjesës së parë të rrugës “Holger Pedersen”, duke ia besuar punimet një grupi operatorësh ekonomikë ku bën pjesë edhe një kompani e themeluar nga një ish-zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), parti që udhëheq kryeqytetin.
Sipas njoftimit zyrtar për nënshkrimin e kontratës, të përgatitur më 24 nëntor 2026 (me numër prokurimi 616-26-7263-5-1-1), marrëveshja është lidhur më 16 nëntor 2026 me konsorciumin “EURO CONSTRUCTION NNP” SH.P.K. dhe “DOMID” SH.P.K., me seli në Ratkoc të Rahovecit, raporton lajmi.net.
Për këtë rrugë, lajmi.net kishte raportuar javë më parë, për gjendjen e rënduar dhe e cila në vazhdimësi ka probleme të tmerrshme në infrastrukturën e përgjithshme.
Detajet e tenderit dhe procedurës:
Procedura e prokurimit është zhvilluar me tenderim të hapur, duke u bazuar në kriterin e tenderit ekonomikisht më të favorshëm. Ndonëse vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 1,050,000 euro, ajo u nënshkrua për 1,039,219.86 euro dhe financohet nga mjetet vetanake të Komunës së Prishtinës.
Sipas dokumentacionit të tenderit, kohëzgjatja e paraparë e kontratës është 120 ditë kalendarike, ndërsa në kriteret e vlerësimit afati më i shkurtër i realizimit brenda intervalit prej 90 deri në 120 ditësh përbënte 20 për qind të pikëve, dhe periudha më e gjatë e garancisë, nga tre deri në pesë vjet, përbënte 20 për qind të tjera. Nga katër tenderë të pranuar, vetëm një është vlerësuar i përgjegjshëm, pikërisht oferta e konsorciumit fitues.
Aktiviteti i prokurimit kishte nisur më 31 gusht 2026, njoftimi për kontratë ishte publikuar më 1 shtator, hapja e tenderëve ishte bërë më 25 shtator, ndërsa njoftimi për dhënien e kontratës ishte publikuar më 13 tetor, para se të arrihej te nënshkrimi më 16 nëntor 2026. Realizimi i këtij investimi është planifikuar të shtrihet përgjatë tri viteve buxhetore, me 200 mijë euro të ndara për vitin 2026, 350 mijë euro për vitin 2027 dhe 500 mijë euro për vitin 2028.
Lidhja me LDK-në dhe kontratat e mëparshme në kryeqytet
Kompania “EURO CONSTRUCTION NNP” është themeluar në vitin 2013 nga Bislim Morina, i cili në vitin 2014 ishte emëruar Drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Rahovecit nga radhët e LDK-së dhe në profilin e tij mban fotografi nga aktivitetet e kësaj partie. Kryeqyteti aktualisht udhëhiqet nga kryetari Përparim Rama, i cili vjen nga po kjo parti.

Ky tender shton serinë e kontratave publike në Prishtinë ku është përfshirë ky operator ekonomik, si dhe konsorciume të tjera ku ai ka marrë pjesë.
Më 1 janar 2026, Komuna e Prishtinës kishte publikuar njoftimet për dhënien e dy kontratave të tjera: për “Ndërtimin e rrugëve në Bardhosh–Bërnicë” në vlerë prej 244,896 eurosh, të fituar nga i njëjti konsorcium (“EURO CONSTRUCTION NNP” SH.P.K. dhe “DOMID” SH.P.K.), si dhe për “Ndërtimin e rrugëve në lagjen Taslixhe”, tender që pas ritenderimit kishte kapur vlerën e afro 400 mijë eurove.

Përveç këtyre, në vitin 2024, Komuna e Prishtinës i kishte dhënë një kontratë prej 6,589,459.60 eurosh për ndërtimin e “ishullit urban” në Prishtinë grupit të operatorëve ekonomikë ku bënin pjesë “N.N.P. EURO CONSTRUCTION”, “EURO ABI” SH.P.K., “Beni Construction” SH.P.K. dhe “Arifaj” SH.P.K.
Ndërsa institucionet komunale e justifikojnë përzgjedhjen e ofertuesve përmes procedurave të rregullta të prokurimit dhe plotësimit të kritereve financiare e profesionale, angazhimi i përsëritur i kompanive të lidhura me figura politike të partisë në pushtet në kryeqytet mbetet temë e ndjeshme në debatin publik mbi transparencën dhe konkurrencën në tenderët komunalë./Lajmi.net/