Lutfi Haziri: Shqiptarët e Luginës të dalin në zgjedhjet e Serbisë
Lutfi Haziri ka mbështetur pjesëmarrjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë që mbahen këtë të diel, ndërsa Riza Halimi ka thënë se duhet të bëhet më shumë në lehtësimin e qarkullimit të lirë për banorët e Luginës.
Lajme
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri u ka konfirmuar sot përfaqësuesve politikë të Luginës së Preshevës se është duke u përgatitur për ta hapur një zyrë për komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc e cila do të merret me zgjidhjen e problemeve të banorëve të kësaj këtyre komunave.
Haziri është takuar sot me Riza Halimin, Deputet në Kuvendin e Serbisë dhe lider i Partisë për Veprim Demokratik dhe ish-kryetarin e Bujanocit dhe njërin nga udhëheqësit politik Shaip Kamberi.
“Kemi biseduar sot lidhur me format e bashkëpunimit që i kemi tradicionalisht të vendosura në nivel politik dhe në nivel regjional apo komunal”.
“Tashmë përfundimisht ne po fillojmë ndërtimin e Zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, e cila do të merret ekskluzivisht zgjidhjen e problemeve civile dhe problemet tjera politike që i kanë qytetarët e Kosovës Lindore”.
“Natyrisht që në një organizim më të mirë dhe një formë të bashkëpunimit në kuadër të regjionit, në mënyrë që qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave të mos kenë probleme që i kanë”, tha Lutfi Haziri.
Lutfi Haziri ka mbështetur pjesëmarrjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë që mbahen këtë të diel.
“Jemi në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në Serbi. Unë uroj që kandidatët tanë të jenë të mbështetur nga shumica shqiptare atje dhe votuesit që jetojnë në Gjilan poashtu kanë mundësi që të votojnë për njerëzit, për të pasur përfaqësim adekuat”.
“Përkundër kësaj, ju e dini qëndrimin tim politik sa i përket zhvillimeve në regjion. Unë edhe më tutje besoj që një zgjidhje tjetër sa i përket regjionit duhet të ndodhë sepse rishikimi i kufirit herët a vonë do të jetë njëra nga proceset që Kosova duhet ta zgjidhë me Serbinë”.
Ndërsa Riza Halimika kërkuar që të bëhet më shumë në mënyrë që të mundësohet qarkullimi i lirë i banorëve të Luginës në drejtim të Kosovës.
“Pa një qarkullim të lirë, ne do të mbesim të getoizuar. Sikur që ishim menjëherë pas luftës. Dhe në këtë drejtim besoj që ky bashkëpunim do të japë rezultate dhe do ta ndihmojë Luginën”
“Jam më se i bindur se edhe zgjedhjet e 16 marsit që mbahen në Serbi, e kemi mundësinë që të zgjedhim përfaqësuesit tanë legjitimë, që shqiptarët të votojnë për listën shqiptare dhe të mos na ndodhë fati i Ulqinit”, ka thënë deputeti dhe kryetari i PVD-së, Riza Halimi i cili është kandidat për deputet nga PVD.