Lushaku-Sadriu: Kërkojmë sqarim dhe kërkimfalje nga BE-ja për përjashtimin e Kosovës nga Forumi i Zgjerimit
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është miratuar agjenda për seancën e së enjtes. Pas përfundimit të mbledhjes, ajo ka njoftuar se pyetjet parlamentare të deputetëve do të trajtohen në një seancë të veçantë, e cila mund të…
Lajme
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është miratuar agjenda për seancën e së enjtes.
Pas përfundimit të mbledhjes, ajo ka njoftuar se pyetjet parlamentare të deputetëve do të trajtohen në një seancë të veçantë, e cila mund të mbahet të premten.
“Miratuam agjendën për seancën e së enjtes. Njëkohësisht morëm edhe një vendim që pyetjet parlamentare të mbledhura nga shumë deputetë të adresohen në një seancë të veçantë, që potencialisht mund të jetë të premten. Kjo ishte përgjithësisht për Kryesinë”, deklaroi Lushaku-Sadriu.
Ndërkohë, ajo ka folur edhe për një takim të zhvilluar gjatë ditës në Komisionin për Integrime Evropiane, ku ishte i ftuar udhëheqësi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Sipas Lushaku-Sadriut, në këtë takim është kërkuar nga institucionet e BE-së një sqarim zyrtar me shkrim, si dhe kërkimfalje për mospërfshirjen e Kosovës në Forumin e Zgjerimit.
Ajo e ka cilësuar këtë si një incident, duke shprehur shqetësimin edhe për këngën me motive nacionaliste të përfshirë në këtë forum, për të cilën tha se bie ndesh me vlerat dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian.
“Ne kemi ftuar kryesuesin ose udhëheqësin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, nga i cili kemi adresuar një kërkesë të qartë: një sqarim me shkrim dhe kërkimfalje nga institucionet e Bashkimit Evropian për mospjesëmarrjen e Kosovës, institucioneve të Kosovës, në Forumin e Zgjerimit. Një incident në fakt, edhe për mospjesëmarrje, edhe sa i përket këngës me motive nacionaliste, e që është komplet në kundërshtim me qëndrimet dhe synimin e Bashkimit Evropian”, u shpreh ajo.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të LDK-së ka theksuar se përgjigjja për këtë çështje duhet të vijë nga nivelet më të larta politike të Bashkimit Evropian.
Lushaku-Sadriu ka bërë të ditur se i është drejtuar edhe komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, me tri kërkesa konkrete.
Ajo ka kërkuar sqarime lidhur me përzgjedhjen e këngës, arsyet e mospjesëmarrjes së Kosovës në Forumin e Zgjerimit, si dhe kriteret mbi të cilat janë përzgjedhur shtetet pjesëmarrëse.
“I kam adresuar tri kërkesa ndaj komisioneres Marta Kos për sqarim, edhe për mënyrën se si është selektuar ajo këngë, por edhe për mospjesëmarrjen e Kosovës, si dhe përzgjedhjen e shteteve në Forumin e Zgjerimit. Kërkojmë që të kemi një sqarim me shkrim nga nivelet më të larta politike”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu. /Lajmi.net/