Marrëveshja me BE-në, kryeministri britanik: Dekada e ardhshme mund të jetë shumë më e mirë për Britaninë

Kryeministri britanik, Andy Burnham do t’i prezantojë sot Parlamentit marrëveshjen e arritur me Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë si një marrëveshje historike që mund të sjellë përfitime të mëdha për ekonominë dhe qytetarët britanikë. Sipas tij, marrëveshja krijon një “perspektivë shumë reale” që dekada e ardhshme të jetë dukshëm më e mirë për Britaninë…

Bota

23/11/2026 09:02

Kryeministri britanik, Andy Burnham do t’i prezantojë sot Parlamentit marrëveshjen e arritur me Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë si një marrëveshje historike që mund të sjellë përfitime të mëdha për ekonominë dhe qytetarët britanikë.

Sipas tij, marrëveshja krijon një “perspektivë shumë reale” që dekada e ardhshme të jetë dukshëm më e mirë për Britaninë sesa ajo që sapo ka kaluar, raporton BBC.

Gjatë fjalimit para deputetëve, kryeministri pritet ta përshkruajë marrëveshjen si një zgjedhje “mes një status quo-je të dështuar dhe ndryshimit”.

Ai do ta cilësojë gjithashtu si “masën më të madhe për rritjen ekonomike të realizuar gjatë këtij mandati parlamentar”, duke përsëritur pretendimin se marrëveshja mund t’i shtojë 17 miliardë paund ekonomisë britanike.

Të premten, kreu i qeverisë e përshkroi marrëveshjen me BE-në si një zgjidhje ku përfitojnë të dyja palët. Ajo përfshin eksportet britanike të produkteve ushqimore, tregtinë e emetimeve dhe një skemë për mundësitë e përvojës dhe shkëmbimit të të rinjve.

Megjithatë, që prej prezantimit të saj, marrëveshja është përballur me kritika nga një sërë politikanësh. Madje, një ish-kryeministër i ka kërkuar kreut aktual të qeverisë që të “ecë përpara” dhe të mos rikthehet vazhdimisht te çështja e Brexit.

Në fjalimin e tij, kryeministri pritet të theksojë se marrëveshja e arritur në Bruksel ofron mundësinë për t’i dhënë fund një dekade përçarjeje dhe ngecjeje.

Ai do ta paraqesë atë edhe si një zgjedhje mes lehtësimit të kostos së jetesës dhe rritjes së mëtejshme të çmimeve të ushqimeve, si dhe mes krijimit të mundësive për të rinjtë dhe kufizimit të tyre.

Kryeministri gjithashtu do t’i referohet sondazheve, të cilat sipas tij tregojnë se qytetarët britanikë dëshirojnë marrëdhënie më të afërta me Bashkimin Evropian dhe se marrëveshja e re i përgjigjet kësaj kërkese.