Lunacek zëvendëspresidente e Parlamentit Europian

Ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Ulirke Lunacek, është zgjedhur zëvendëspresidente e Parlamentit Evropian.

Bota

02/07/2014 15:20

Eurodeputetja austriake nga radhët e të gjelbërve, Ulrike Lunacek, është zgjedhur zëvendëspresidente e Parlamentit Evropian me shumicën e votave të eurodeputetëve nga 751 sa ka Parlamenti Evropian.

Në këtë detyrë 57-vjeçarja edhe formalisht bëhet zyrtarja austriake me postin me të lartë brenda Parlamentit Evropian.

Ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Lunacek ishte kandidate konkurrente e socialdemokratit gjerman Martin Shultz për postin e kryetarit të Parlamentit, por nuk arriti të merrte votat e mjaftueshme. Në detyrën e zëvendëspresidentes së Parlamentit Evropian, ajo u zgjodh në raundin e tretë të votimeve.

Të gjelbrit janë Grupi parlamentar i gjashtë më i fortë në Parlamentin Evropian. Lunacek në postin e zëvendëspresidentes do të angazhohet për transparencë më të madhe në këtë institucione, shkruan agjencia austriake e lajmeve APA.

Zonja Lunacek për herë të parë është bërë deputete në Parlamentin Evropian në vitin 2009. Nga viti 2013 ajo ka kryer detyrën e raportueses së Parlamentit Evropian për Kosovën.

Parlamenti Evropian, ndryshe ka 13 zëvendëspresidentë. Njëri prej tyre është zgjedhur edhe ish komisari evropian Oli Ren.