Lumir Abdixhiku u rikonfirmua si kryetar i partisë, LDK përballet me fazën e rimëkëmbjes
Lumir Abdixhiku është rikonfirmuar dje kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas votimit të zhvilluar në mbledhjen e Kuvendit të partisë, ku ai antarësia me një diferencë prej rreth 30 votash votoi kundër dorëheqjes së tij. Në fjalimin e tij pas konfirmimit, Abdixhiku u shpreh se rezultati nuk është arsye për festë, por për reflektim…
Lajme
Lumir Abdixhiku është rikonfirmuar dje kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas votimit të zhvilluar në mbledhjen e Kuvendit të partisë, ku ai antarësia me një diferencë prej rreth 30 votash votoi kundër dorëheqjes së tij.
Në fjalimin e tij pas konfirmimit, Abdixhiku u shpreh se rezultati nuk është arsye për festë, por për reflektim dhe përgjegjësi më të madhe.
Ai vlerësoi standardin e procesit të brendshëm zgjedhor dhe theksoi se LDK-së i duhet maturi, bashkim dhe angazhim i përbashkët për periudhën që e pret, transmeton lajmi.net.
Abdixhiku ftoi të gjithë anëtarët e partisë, përfshirë edhe ata që nuk e kanë mbështetur, që të bashkohen rreth objektivave të përbashkëta. Sipas tij, rimëkëmbja e LDK-së nuk mund të bëhet me ndarje mes fituesve dhe humbësve, por me përfshirjen e të gjithëve në proces.
“Rruga përpara e LDK-së ka emër rimëkëmbje. Rimëkëmbja nuk bëhet me natyrën e fituesit apo humbësit, por me përafrimin e të gjithëve. Të gjithëve ju bëj thirrje, edhe të kënaqurve me mua por edhe ata sidomos që nuk ishin të kënaqur me mua të vijnë të rreshtohen prapa qëllimit të përbashkët të anëtarësisë.”, tha ai ndër të tjera.
Ai bëri të ditur se një nga hapat e parë pas rizgjedhjes do të jetë formimi i kryesisë së re të partisë përmes një procesi të rregullt votimi, duke e cilësuar këtë si dëshmi të demokracisë së brendshme. Po ashtu, theksoi nevojën për kohezion të plotë mes strukturave të partisë dhe grupit parlamentar.
Pavarësisht fitores, brenda LDK-së nuk kanë munguar zërat kritikë. Ndër figurat që kanë shprehur pakënaqësi është edhe Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares.
LDK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit u rendit e treta, duke siguruar 15 ulëse në Kuvendin e ri, çka e vendos partinë përballë një periudhe sfiduese për riorganizim dhe rikthim të mbështetjes qytetare./lajmi.net/